11.5 C
Tirana
14 / 10 / 2025

Enver Petrovci, ai që dha shumë, por mori pak nga ne

Nga Avni Selmani

Enver Petrovci nuk ka nevojë për përshkrime. E dimë të gjithë kush ishte. Aktor i madh, mjeshtër i fjalës dhe i skenës, njeri që frymëzoi breza dhe që la gjurmë të thella në teatrin dhe filmin shqiptar. Por përpos talentit dhe kontributit të tij në art, Enver Petrovci ishte edhe një njeri i jashtëzakonshëm. I ndershëm, i sinqertë dhe i lirë në mendim. Por kjo liri e mendimit shpesh u keqinterpretua.

Në vitet e fundit të jetës, ai u bë objekt sulmi mediatik. Një intervistë e tij u keqpërdor, iu shtrembërua kuptimi dhe iu dha drejtim i qëllimshëm për të nxitur reagimin publik. Nuk ishte hera e parë që ndodhte kjo. Por ajo që nuk falet është heshtja. Heshtja e atyre që e kanë njohur nga afër. Heshtja e kolegëve, e bashkëkohësve, e atyre që kanë punuar me të, që kanë mësuar prej tij, që kanë ndarë skenën dhe jetën me të. Sidomos heshtja e komunitetit artistik, ata të cilët e njihnin më së miri, që duhej të dilnin të parët dhe të mbronin dinjitetin e tij, duke e thënë të vërtetën.

Është e pashpjegueshme kur për Enverin flasin ata që e kanë gjykuar me qëllim dhe pa të drejtë, pa e njohur kurrë nga afër, ndërsa heshtën ata që janë rritur me të, janë arsimuar prej tij dhe kanë kaluar kohë me të në skenë e në jetë. Dhe nuk e patën guximin ta thonin të vërtetën, të tregonin që një njeri që ka dhënë gjithë jetën për artin, nuk e meriton të ulet për shkak të një qëndrimi a një fjale të lirë.

Enveri ishte jo vetëm aktor i madh, por edhe patriot dhe humanist. Më kujtohet një bisedë që pata me të, para shumë vitesh, kur e pyeta: “Pse u largove nga Beogradi.” M’u përgjigj: “Nuk e lash Beogradin pse unë personalisht kisha ndonjë problem, përkundrazi gëzoja një respekt të jashtëzakonshëm. Por u largova sepse ishte ajo kohë kur mediat dhe nacionalistët flisnin zi e terr për ne dhe kundër nesh… për mua ajo u bë një situatë e padurueshme. Në ato rrethana, kthimi në atdhe ishte i vetmi vendim për mua.” Këto ishin fjalët e tij.

Me kthimin e tij në Kosovë, themeloi teatrin “Dodona”, që ishte i vetmi institucion kulturor në atë kohë robërie dhe gjendjeje të jashtëzakonshme. Po ashtu, themeloi Fakultetin e Arteve, degën e aktrimit, në kushte okupimi, nën presion e masa të dhunshme. Dhe kjo, më shumë se çdo fjalë, tregon kush ishte Enver Petrovci.

Tani që ka ndërruar jetë, rrjetet sociale janë mbushur me ngushëllime, me fotografi, me kujtime dhe me fjalë të mira. Tani është lehtë me folur. Tani është vonë. Sepse mbështetja që nuk jepet kur një njeri është gjallë, nuk ka më vlerë kur ai nuk është më. Sepse fjalët e mira pas vdekjes janë të kota, kur në jetën e tij ai është lënë i vetëm përballë një turme që linçon. Dhe ky nuk është problem vetëm i një rasti. Është pasqyrë e një shoqërie që hesht kur duhet të flasë dhe flet kur nuk ka më asnjë peshë.

Enver Petrovcit nuk i duhet më mbrojtje. Ai e ka thënë fjalën e vet me jetën që ka jetuar. Por ne, si shoqëri, duhet të mësojmë që respekti për një njeri nuk fillon pas vdekjes. Fillon kur je i gatshëm të dalësh përballë dhe të thuash të vërtetën, edhe kur nuk të pëlqen, edhe kur të kushton.

Sot nuk kemi humbur vetëm një artist të madh, por edhe na kujtohet një e vërtetë e hidhur, shpesh i lëmë vetëm ata që na kanë dhënë më shumë se të gjithë.

Në fund, ai iku nga kjo botë me dinjitet, krenar për krijimtarinë që la pas, duke hyrë në historinë e kinematografisë shqiptare. Pas vetes la një trashëgimi të çmuar artistike dhe një familje të mrekullueshme që e bën krenar.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x