11.5 C
Tirana
14 / 10 / 2025

Vazo e Pandorës dhe Fizika Kuantike

Nga Loer Kume*

Po shkruaj një shkrim mbi një krijim timin, sepse veç mua më mbetet barra që ta spikas këtë moment që lidh letërsinë dhe fizikën kuantike. Duhet të kishte kritikë letrare, njohës të veprës letrare bashkëkohore shqiptare, njohës specifikë të veprës sime dhe këta njohës duhet të kenë kuriozitet ndaj fenomeneve e zbulimeve në shkencë, teknologji, e fizikë kuantike specifikisht.
Këta kritikë letrarë me të tillë kuriozitet të kryqëzuar, janë të rrallë si një dinosaur – ende i pazbuluar në sferën e letrave shqipe.
Ndaj, si një shkrimtar shqiptar i denjë, më duhet ta bëj mirë dhe ta bëj veç vetë këtë lajmërim.

“Vazo e Pandores” u krijua si strukturë fillestare në linja të trasha dhe deri diku infantile, në vitin e largët 1999. Isha në gjimnaz, dhe unë tashmë kisha fituar një staturë të privilegjuari prej shkrimtari të ri si fitues i një çmimi letrar. Mësuesit nuk më ngacmonin dhe e merrnin apriori që unë po bëja diçka të vlefshme kur nuk e kisha mendjen në mësim.
Më lind ideja e “Vazos së Pandores”, dhe nis ta shkruaj si i zotëruar në bankën e tretë, rreshti nga dritarja që shihte detin, në kat të tretë të “Gjergj Kastrioti”-t.
Mësuesi i letërsisë vendos të prishë status quo-në dhe më drejtohet me ton sfidues: çfarë po bën aty? — Po shkruaj — Fantastike, na e lexo dhe ne.
Dhe unë, me një kënaqësi të pamasë, dal dhe lexoj para klasës “Vazon e Pandores” në fillesat e saj. Për herë të parë në jetë më duartrokasin një klasë e një mësues njëkohësisht. Ishte emocioni im i parë i suksesit të vërtetë.

Përtej këtij kujtimi gjimnazi, “Vazo e Pandores” u plotësua si tregim i gjatë, novelë e shkurtër, në 2001. Dhe u botua te revista Fjala, në 2003.
Romani im i parë është ‘Histori e shkurtër e rrëmujës’. I dyti, ‘Dhe pastaj ajo u bë pemë’. I treti është ai që po shkruaj, ‘Toka nuk është më’. Dhe romani i katërt i planifikuar është Vazo, pra “Vazo e Pandores” e zhvilluar në një roman, ku personazhet zgjerohen.
Në thelb të tij qëndron një tragjizëm, dhe një koncept. Tragjizmi është lufta dhe urrejtja që pushtoi Shqipërinë e pas ’90-ës me konfliktin për pronat private.
Koncepti është që çdo veprim që ngjan në të tashmen prek dhe ndikon të ardhmen, por, unë besoja fort, edhe të kaluarën.
Këtë koncept e kam perceptuar si një gur që bie në një pellg me ujë dhe përhap valët e tij koncentrike në tërë pellgun. Më pas, në 2011, ishte shumëdimensional: çdo ngjarje që ndodh, përhapet në formë sfere π – radian, dhe prek çdo realitet, duke ndikuar të ardhmen dhe të kaluarën.
Kështu nisa të shkruaj romanin Vazo, bazuar mbi tregimin tim të vjetër tashmë, “Vazo e Pandores”.

Kur, para disa ditësh, lexoj një informacion që më tronditi thellësisht.
Në Vjenë, në një laborator fizike në 2012, një grup shkencëtarësh bënë një eksperiment të çmendur. Bënë lëshimin e kontrolluar të dy fotoneve. Lëshimi bëhej në mënyrën që dy fotonet të ishin të lidhura me njëri-tjetrin përmes dimensionit të njëjtë hapësinor. Një foton u mat në mënyrë të menjëhershme. Fotoni i dytë u lëshua më vonë. Rezultatet që ata matën treguan që fotoni i parë u ndikua në sjellje nga fotoni i dytë. Në njëfarë mënyre, e kaluara po influencohej nga e tashmja.
Ky eksperiment u përsërit në shumë laboratorë dhe vende të botës më pas, duke arritur gjithnjë të njëjtin rezultat. Fenomeni u quajt The Delayed Quantum Choice Eraser. Koncepti që, duke vëzhguar një kuant, influencojmë sjelljen e tij dhe kjo gjë mund të ndryshojë të kaluarën që ka ndodhur para vëzhgimit të kësaj ngjarjeje, është një derivim i Observer’s Effect, fenomenit të fizikës kuantike që është në bazë të manifestimit.

Është një rast thuajse unik, dhe një mënyrë për të qenë krenar — sigurisht unë i pari, përtej modestive hipokrite — që parakrijova një nocion fizik shumë kohë përpara se ky fenomen të ishte i studiuar në fizikën kuantike. Në historinë e letërsisë unë njoh vetëm një rast të ngjashëm: Kopshti me shtigje që bigezohen i Borges, që pararendi teorinë e relativitetit të Einstein-it.

Unë jam i bindur që gjithçka ne bëjmë përhapet në formë valësh e merr përpara, duke ndryshuar të kaluarën dhe të ardhmen. Kjo tashmë nuk është vetëm bindje e imja, por një teori fizike kuantike e vërtetuar.

*shkrimtar, deputet, mjek

Artikujt më të kërkuar

7
0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x