Nga Ermal Mulosmani
Erion Veliaj, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, është prej më shumë se 6 muajsh në burg. Fashikujt e dosjes penale të tij u bënë publike qysh në fillesë duke na e kthyer çështjen Veliaj në një argëtim publik.
Prokurorët haptas treguan zell për diskretitimin e figurës së tij. Populli i mezipritur për një pre të niveleve të tilla e gëlltiti me oreks e humor gjahun e Prokuruorisë në rrjete sociale dhe biseda të përditshme kafenesh.
Kryetari i Bashkisë akuzohet se ka ngritur një skemë perfitimi, përmes të cilit, përfituesit nga tenderat e Bashkisë së tij, çonin “taksën” e tyre në organizatat joqeveritare të krijuara nga e shoqja, Ajola Xoxa si shpërblim për tenderat.
Një skemë banale vjedhjeje.
Por Erjon Veliaj meriton një akuzë tjetër. Më fisnike, më dinjitoze, më madhështore. Ai së bashku me Kryeministrin janë varrosësit e “Tiranës- qytet i jetueshëm”.
Prokurorët e SPAK e kanë shumë kollaj të vërtetojnë një akuzë të tillë. Mjafton të bëjnë një xhiro në zonat me densitet të lartë në Tiranë. Do të shohin katastrofa urbanistike, pallate që nuk respektojnë as minimumin e mundshëm të distancave ndaj komshiut. Babëzia për fitim i ka çuar ndërtuesit në gllabërimin e çdo metri katror duke na zënë frymën. Keni parë ndonjë pallat që ka oborr ku mund të luajnë fëmijët?! Kush është përgjegjës për hapësirat publike në këtë vend?! Po për hapësirat e gjelbra kush është përgjegjës? Kush i shkatërroi kodrat e gjelbëruara të Tiranës, ullinjtë shumëvjecarë në zonën e Liqenit?
Unë e bëra një xhiro dje në zonën ku jetoj, te Liqeni i Thatë. Është zona afër Hotel Radisonit, duke u ngjitur përpjetë, në Ullishtë. Aty densiteti i ndërtimeve është i frikshëm, pallatet janë njëri mbi tjetrin, të zihet fryma po të dalësh në dritare. E megjithatë, në ato pak metra “të lira” po ndërtoheshin dy monstra të tjera. Pak më tej, në krahun e majtë, atje ku distanca mes rrugës dhe dy pallateve ishte ndoshta 10 metër, një minimum i arsyeshëm për çdo mendje normale, një ndërtues i famshëm kishte pikasur një mundësi për të ndërtuar një shumëkatësh për zyrat e Kompanisë së tij! Paçka se ky shumëkatësh i hynte në shtëpi banorëve të pambrojtur të dy pallateve.
Në Ullishten përballë po ndërtohet një monstër betoni me shtrirje kolosale. Duke u ngjitur përpjetë ullishtes gjeta vetëm vinça, zhavorr, inerte dhe papastërti. Ullinjtë dergjeshin të ndërgjegjshëm se fundi i tyre është afër. Në luginën e gjelbëruar që zbret nga Lapidari e deri poshtë, po ndërtohen dhjetëra pallate të tjera.
Distancat janë minimale, hapësira publike zero. Ngado sheh vinça, zhurmë, pluhur dhe gjahtarë tokash në kërkim të preve të reja.
Unë nuk kam asgjë kundër kullave shumëkatëshe që po ndërtohen nëpër Tiranë. As parave të pista që janë investuar në ndërtim. Ajo është një çështje që nuk më cënon jetën e përditshme. Ndërsa betonizimi i çdo metri katror të dobishëm për hapësirë publike po, kjo më ka shkatërruar mënyrën e jetesës. Im bir nuk del dot nga shtëpia sepse nuk ka ku shkon. Kjo është një masakër mjedisore me pasoja të pakthyeshme, një kancer që po na vret përditë.
Për këtë masakër ndaj shtetasve të vet janë dy fajtorët kryesorë: Edi Rama dhe Erion Veliaj. Ndaj fushatat për “pastrimin e hapësirave publike” të Kryeministrit janë një farsë e shpifur. Nuk janë problemi më i madh ndërtimet pa leje (edhe ato janë, sigurisht).
PROBLEMI MË I MADH NË KËTË VEND JANË NDËRTIMET ME LEJE.
Dhe lejet në këtë vend i ka dhënë EDI RAMA dhe Erion Veliaj. Ata janë njësoj bashkëfajtorë.
Erion Veliaj duhet dënuar për këtë krim. Nëse SPAK fillon hetimet për masakrën ndërtimore në Tiranë, i sigurtë jam që në terren do të gjejë “mrekullira” me leje.
Njeriu që premtoi se “do të mbeste në memorien kolektive si njeriu që ndërtoi më shumë parqe se pallate” – hodhi më shumë beton në 6 vjet sesa kanë hedhur të gjitha qeveritë në të gjithë tranzicionin 35 vjeçar.
Ky është një gjyq i vërtetë. Jo një palogjyq.