11.5 C
Tirana
28 / 11 / 2025

Marilyn Monroe, një ikonë në një moment ikonik

Nga Albert Vataj

Mjafton ta vështroni me vëmendje, jo thjesht me syrin e zakonshëm, por me ndjeshmërinë e atij që kërkon njeriun pas ikonës, dhe do ta shihni se si ajo, Marilyn, përgatitet me gjithë qenien e saj njerëzore për të goditur topin e parë të një ndeshjeje futbolli. Nuk ka asnjë gjest madhështor, asnjë pozë yllësie. Është një përqendrim i përulur, një akt i thjeshtë dhe i ngarkuar me një ndjenjë të thellë përjetimi. Duart e saj, pothuaj si me ndrojtje, ngritin lehtas fustanin poshtë ijeve, ndërsa ajo, me një gjest krejt të papritur e të çiltër, nxjerr gjuhën, sikur të ishte një vajzë lozonjare, jo diva e një epoke.
Në atë çast, ajo nuk është më objekt i vështrimeve të mijëra syve nga shkallët e stadiumit. Është vetëm një grua përballë një topi të kuq, që pret një goditje, një skenë që s’ka asgjë nga skenaret e mëdha të Hollivudit, por që për të është një sfidë krejt e re, ndoshta më e vështirë se çdo rol që ka luajtur ndonjëherë. Gjuajtja e topit nuk është thjesht ceremonial, është një akt përtej protokollit, një përpjekje për të qenë pjesë e reales, për të jetuar një përvojë që nuk i është ofruar shpesh: të jetë thjesht ajo vetë. Dhe pikërisht aty, në atë grimë kohe, Marilyn na jep portretin më të vërtetë të saj.
Në vitin 1957, Marilyn Monroe ndodhej në kulmin e famës së saj, një ikonë që rrëmbente shikimet dhe zemrat e botës. Por pas shkëlqimit të kamerave dhe duartrokitjeve të pandërprera, ajo mbartte në heshtje një etje për qetësi, për thjeshtësi, për një jetë më tokësore. Në atë vit të kthesës së brendshme, pas martesës me dramaturgun Arthur Miller më 1956, ajo kishte lënë pas shkëlqimin e Hollivudit për të jetuar në një fermë në Amagansett të Nju Jorkut. Atje, larg botës që e kishte ngritur në piedestal, ajo gjeti strehën në libra, në reflektim të thellë, dhe në një dëshirë të pashuar për të ndërtuar një familje.
Fotoja që sjell këtë çast të rrallë, e ngjyrosur tashmë, por që në origjinalin e saj ishte bardhë e zi, e kap Marilyn në një moment të pazakontë, në një fushë futbolli, me një veshje elegante dhe shik, pranë një portieri që i ofron lule, përballë një topi të kuq që e pret të goditet nga një ikonë që rrallë e ka pasur tokën nën këmbë. Është një imazh që mbart një përzierje befasuese, sharmi hollivudian përplasur mbi barin e zakonshëm, ajo që s’mund të jetë pjesë e së zakonshmes, duke provuar për një çast të shndërrohet në të thjeshtën. Aty nuk është thjesht Marilyn Monroe, por një grua që përpiqet të marrë frymë jashtë kornizave të mitit të saj.
Në planin profesional, ajo po kalonte një tranzicion të thellë. Pas suksesit komik të Bus Stop më 1956, ajo dëshironte të provonte veten në role më dramatike. E kishte themeluar kompaninë e saj të produksionit, Marilyn Monroe Productions, në një përpjekje të qartë për të marrë kontrollin mbi karrierën e saj, një akt rebelimi kundër një industrie që e shihte thjesht si “bionden fatale”. Në 1957-n, nisi xhirimet e The Prince and the Showgirl me Laurence Olivier. Xhirimet ishin të mbushura me tension dhe përplasje, por Monroe, ndonëse e lënduar, dëshmoi vullnetin për të pjekur artin e saj. Kritika më vonë do ta vlerësonte interpretimin e saj për ndjeshmërinë dhe përbrendësinë e rrallë.
Por ky vit i dritës dhe përpjekjes ishte po aq i përshkuar nga dhimbja. Më 1957, Marilyn përjetoi një abort spontan, një plagë e thellë që ushqeu më tej mallin e saj për mëmësinë. Pas buzëqeshjes që përndritte kudo ku shfaqej, fshihej një shpirt i trazuar, një grua që vuante, që kërkonte një kuptim më të thellë se sa vetëm fama dhe adhurimi.
Marilyn e 1957-s ishte një grua në përkufizim të vetvetes: ikonë e përjetshme dhe njëkohësisht qenie e brishtë, e etur për dashuri të vërtetë, për njohje të vërtetë, për një vend ku të jetë e lirë të jetë thjesht… njeri. Dhe ajo foto në fushën e gjelbër, me topin e kuq në këmbë, është një metaforë e jashtëzakonshme e asaj që ishte: një yll që kërkonte të zbresë në tokë, të jetojë dhe jo vetëm të ndriçojë.
Albert Vataj

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x