Nga Mero Baze
Dita më e rëndësishme e Berishës nuk është më, 11 maji, por data 12 maj. Qyshkur u shpallën listat 24 orë më parë dhe kur kontrasti i madh mes reformimit 80 për qind të Partisë Socialiste dhe kalcifikimit të PD-së tek lista që humbi më 2013, ka shkaktuar një humbje të thellë besimi edhe brenda PD-së për ndonjë rritje të mundshme të rezultatit. Berisha flet vetëm për 12 majin.
Në subkoshiencën e tij, ajo është dita që mund t’i marrin partinë dhe, për t’i hequr frikën vetes, këtë makth e projekton tek Edi Rama.
Ka së paku 5 deklarata për shtyp që e arsyetojnë burgosjen e Erion Veliajt nga njerëzit e tij në SPAK, si porosi të Edi Ramës, që të mos i zërë vendin më 12 maj.
Edhe pse duket shumë qesharake, deklarata është shumë serioze dhe i buron nga makthi i tij për pasardhësin, apo ata që mund t’i kërkojnë karrigen më 12 maj, pas humbjes shkatërruese që do të pësojë.
Në fakt, nuk do të ndodhë asgjë në PD më 12 maj. Berisha është futur kot në panik. Duket se me të njëjtin makth që ai përmend tani 12 majin, ai ka ndërtuar dhe listat e tij dhe, afërisht, ai mund të marrë 40 deputetë nga listat e sigurta, të cilët janë më të sigurt se vetë Berisha, që do vdesin bashkë me Berishën në krye të PD-së.
Kështu që është koha të çlirohet nga makthi i 12 majit. Nuk i ndodh asgjë. Flamur Noka nuk i kërkon të bëhet kryetar i PD-së. As Edi Paloka. Albana Vokshi trembet edhe ta mendojë. Tritan Shehu më parë mbyt veten me presh se sa t’i shkojë ndërmend t’i kërkojë dorëheqje. Gjin Gjoni as që bëhet fjalë. Luan Baçi është gati të vrasë dhe Gaz Bardhin po hapi gojën. E kështu me radhë.
Nuk ka asnjë rrezik, madje as nga aleatët. Fatmir Mediu më parë shkon në burg e nuk flet për Shkëlzenin, e jo më të flasë për Berishën. Ilir Meta po ashtu është gati të marrë dënimin nga burgu i tij. Kujtim Gjuzi dhe Jenisheri janë pak më të pavarur, por nuk besoj se e rrezikojnë.
Kështu që e ka kot këtë makthin për 12 majin këtë radhë.
Në këto tridhjetë e pesë vjet ka pasur të drejtë të kishte makth.
Në fillim kishte makthin e Gramoz Pashkos, dhe pasi i dhunoi vajzën dhe atë vetë, e zboi nga partia. Pastaj pati makthin e Eduard Selamit dhe atë e zboi dhe nga Shqipëria, pasi e dhunoi. Pastaj pati makthin e Bashkim Koplikut, Alfred Serreqit e Dash Shehit dhe i zboi më 1997 nga partia. Pastaj pati makthin e Genc Pollos dhe e zboi më 1999 nga partia. Pastaj iu kthye në makth Pjetër Arbnori se bënte diferencë kulturore dhe politike me të, e hoqi qafe dhe atë. Më 2005 as Uran Butkës nuk ia fali që kandidoi pa leje kundër tij vetëm për të treguar mospajtimin me një ish-komunist, jo se do fitonte. As atë nuk e fali, por e zboi. Kur humbi pushtetin përfundimisht më 2013, nuk ia fali as Sokol Olldashit që kandidoi dhe po tentonte të fitonte pa lejen e tij. E degradoi derisa u gjet i copëtuar në makinë në Krrabë. Pastaj i njëjti makth iu ngjall nga Lulzim Basha, kur pa që ai i dorëzoi kokën në sininë e amerikanëve. Ishte gati ta vriste dhe atë.
Dhe kjo betejë e tij e pandërprerë me të gjithë ata që kanë tentuar apo ëndërruar të jenë pasardhës të tij, natyrisht që po i ringjallet si makth për 12 majin, tani që është i bindur që do të humbasë. Dhe nuk di si ta ndajë këtë me njerëzit, nuk di si t’ia heqë vetes këtë frikë dhe bën sikur i qan hallin më 12 maj Edi Ramës, i cili, falë edhe Sali Berishës, do kthente çdo rekord në historinë e Shqipërisë duke u bërë për herë të katërt kryeministër, pa e vrarë kundërshtarin e tij, përkundrazi, duke u kujdesur aq shumë për të, që të jetë në krye të opozitës dhe të mos ia marrë njeri karrigen as pas 12 majit. Nuk ka ndonjë kapital më të madh politik se atë përballë.
Ndaj Berisha futet në makth kot. Nuk ka ndërmend ta heqin as ata që ka si ushtarë, as ata që ka si kundërshtarë. U duhet të gjithëve, ashtu siç është, i korruptuar, i lig, i plakur dhe i rrjedhur. Përveç demokratëve që do rrinë rrugëve edhe katër vjet të tjera.
- Macron mesazh Rusisë: Duhet të pranojë propozimin për armëpushim 30-ditor për një zgjidhje paqësore - 14/03/2025
- “Tuneli i Murrizit, kurth i paparë i natyrës”, Rama u përgjigjet ndjekësve: Projekti është bërë me PPP, i ka kushtuar më pak shtetit - 14/03/2025
- Makthi i pavend i 12 Majit që po vret Berishën - 14/03/2025