Nga Ermal Mulosmani*
Nuk e kam fort të qartë se çfarë po luhet nën kulisat e RTSH-së për emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm të ri. Por mënyra sesi Leka Bungo me shokë folën në një seancë dëgjimore në Komision Parlamentar, më krijon përshtypjen e një papërgjegjshmërie ekstreme, të një pazari ofertash dhe një bajraktarizmi skandaloz me ofiqet zyrtare. Dukej sikur anëtarët e Këshillit Drejtues ishin kapur në flagrancë duke vjedhur dhe justifikoheshin.
Diku i kishin shkelur dikujt në kallo dhe tani strukeshin si skutha frikacakë! Çfarë mungese dinjiteti, çfarë fëlliqësie e neveritshme! Një burrë 81 vjeç, që pretendon që ka vetëm çelësat e kashtës pasi ka pushuar 3 Drejtorë të Përgjithshëm kur zihet duke vjedhur thotë “unë nuk kam kompetenca”.
Një Këshill i tillë detyrimisht do të sjellë një institucion hardallosës që emëron gjithfarë shoferi e hidrauliku si Drejtor Deparramenti a Projektesh.
Projekti i RTSH-së ka qenë dështimi më i madh i të gjitha Qeverive. Ai është parë gjithmonë si një thes i madh parash dhe favoresh, ku servilë të dorës së parë kanë ndarë privilegjet duke mos bërë absolutisht asgjë që mund t’i mbetet të ardhmes. Dhe më e bukura, i rezervojnë vetes të drejtën edhe të ankohen! Hajdutë e delenxhinj, të paaftë e servilë të gjithë janë mbledhur në gostinë e vjedhjeve të rrasin turinjtë e fëlliqur.
Nëse nuk emërohet dikush me objektiva të caktuara, konkretë, të matshme dhe të japë llogari çdo 6 muaj për zbatimin e tyre, kjo kënetë erëndyrë do të vazhdojë të kutërbojë. Do ndryshojë veç përfituesi.
*Shkrimi eshte marre nga statusi ne FB i autorit, titulli i redaksise
- “Do të jetë historia më e madhe e të gjitha kohërave”/ Vajza e astronautit Ashley Hansen tregon emocionet e kthimit të babait në Tokë: Do t’i jap një përqafim të madh… - 11/04/2026
- Ndarja nga jeta e kongresmenit Eliot Engel, Presidenti Begaj: Mik i madh i popullit shqiptar dhe zë i fortë për ne - 11/04/2026
- Artemis II përfundon me sukses! Katër astronautët rikthehen në Tokë pas udhëtimit historik rreth Hënës - 11/04/2026