“Biden po i hedh ‘benzinë zjarrti’ duke lejuar Ukrainën të përdorë raketa amerikane brenda Rusisë”, kështu i është përgjigjur Kremlini faktit që presidenti amerikan autorizoi forcat ukrainase të përdorin raketa me rreze të gjatë ATACMS për të goditur brenda territorit rus.
Zëdhënësi presidencial rus, Dmitry Peskov, në një reagim tha se Kremlini e sheh si “rrezik të madh” vendimin, teksa theksoi se një sulm i tillë do të shihet nga Rusia jo si veprim i Ukrainës, por i “vende që japin leje“.
“Biden i ka ‘hedhur benzinë zjarrit’ dhe ka vazhduar të nxisë tensionin rreth këtij konflikti. Fakti është se këto goditje nuk i kryen Ukraina, këto sulme kryhen nga ato vende që japin leje, sepse shenjëstrimi, mirëmbajtja e tjera nuk bëhet nga ushtarakët ukrainas, bëhet nga specialistë ushtarakë nga këto vende perëndimore“, tha Peskov.
Ai kujtoi edhe qëndrimin e presidentit rus, Vladimir Putin ku thekson se përfshirja e vendeve perëndimore do të provokonte situatën.
Ukraina planifikon të kryejë sulme në territorin rus duke përdorur raketa amerikane me rreze të gjatë veprimi në ditët në vijim. Sipas mediave amerikane, fillimisht këto armë ka të ngjarë të përdoren kundër trupave ruse dhe koreano-veriore në rajonin e Kurskut.