8.5 C
Tirana
11 / 02 / 2026

“Zërat e Bullgarisë dhe Shqipërisë”/ Koncert festiv mes dy kulturave tek Pazari i Vjetër i Korçës

Një mbëmje e veçantë me këngë e valle nga Shqipëria e Bullgaria, është organizuar këtë fundjavë në sheshin e Pazarit të Vjetër të Korçës. Koncerti festiv organizuar nga Ambasada e Bullgarisë në Shqipëri me mbështetjen e bashkisë Korçë, titulluar “Zërat e Bullgarisë dhe Shqipërisë” bëri bashkë dy shtete të cilat flasin një gjuhë të përbashkët, atë të këngëve dhe valleve folklorike. 

“Muzika është zëri më i mirë i diplomacisë. Gjithmonë njerëzit bashkohen rreth muzikës. Shpresoj që kështu të jetë edhe sonte, sepse kjo është shumë e rëndësishme sidomos për ne që jetojmë në ballkan. Uroj që ky koncert të jetë një fillim i mirë i bashkëpunimit mes Ambasadës së Bullgarisë dhe bashkisë Korçë, të cilën dua ta falenderoj për mikpritjen e saj dhe shpresoj që kjo ngjarje të bëhet një traditë e përvitshme dhe të jetë fillimi i një bashkëpunimi afatgjatë.” është shprehur Asen Pachev, Zv/Ambasador i Bullgarisë në Shqipëri

“Kjo është mënyra më e mirë për të treguar sesi popujt e ballkanit bashkëpunojnë së bashku dhe flasin me të njëjtën gjuhë. Kulturat historikisht kanë bashkëpunuar. Popujt e ballkanit kanë shumë këngë të ngjashme, valle e elementë të ngjashëm në kostumet e tyre dhe padyshim edhe vlera unike të cilat na dallojnë si popuj, ashtu sikundër edhe gjuha. Por shpirti i ballkanit, ashtu si titullohet edhe një aktivitet që bashkia Korçë organizon prej disa vitesh, është i njëjtë, e mesa duket vibron me të njëjtat tinguj të muzikës e të njëjtin temperament edhe shpirt”, ka thënë ndër të tjera, Benila Themeli, Nënkryetare e Bashkisë Korçë.

Pjesë e këtij koncerti ishin këngëtarë të njohur nga Bullgaria, të cilët shoqëroheshin nga grupi i valltarëve “Mezdra”. 

“Muzika bashkon popujt” është shprehur këngëtari Iliya Lukov i cili vizitonte Korçën për herë të parë.

“Vij për herë të parë këtu, jam i mahnitur nga bukuria e qytetit, sidomos këtu tek Pazari i Vjetër, është i mrekullueshëm. Nëse do të kem kohë nesër, do të shëtis gjithë qytetin, e më pas do të kthehem këtu si turist me familjen time. Ju e shikoni që kemi ardhur me zemrën e mbushur me dashuri dhe njerëzit që nuk dinë të kërcejnë vallet tona, natyrshëm filluan të kërcenin. Të gjithë, shqiptarë e bullgarë janë së bashku në valle. Muzika bashkon vendet dhe kjo është shumë e vlefshme, sidomos në kohën që po jetojmë, pas vështirësive të pandemisë. Njezëzit kanë nevojë të marrin e të japin sa më shumë dashuri. Unë kam bërë mbi 20 koncerte gjatë verës, në fillim kur vinin njerëzit ishin me fytyra të ngrysura e më pas kur largoheshin ishin të lumtur”, ka thënë Lukov.

Në koncert kanë interpetuar edhe ansambli artistik “Skënderbeu” dhe këngëtarja korçare Lazarela. Të gjitha performancat e këtij koncerti kanë përcjellë më së miri vlerat e trashëgimisë kultutore të dy vendeve, duke krijuar një atmosferë të bukur për publikun e pranishëm.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x