Nga Fatos Bytyci dhe Florion Goga – Reuters
Në tarracën e bashkisë në Tiranë, lezbiket Alba Ahmetaj dhe Edlira Mara kurorëzuan dashurinë e tyre me një dasmë, një lëvizje simbolike që ato shpresojnë se do të promovojë të drejtat e LGBT+ në vendin konservator ballkanik. Të ftuarit hodhën petale të bardha ndërsa çifti ishte veshur me fustane të bardha. Kur ceremonia mbaroi, ato u puthën dhe përqafuan vajzat e tyre binjake trevjeçare.
Martesa e të njëjtit seks nuk lejohet në Shqipërinë me shumicë myslimane dhe partneriteti i tyre nuk do të njihet nga shteti. Vjazat lezbike të cilat u martuan nga dy pastorë britanikë, donin të dërgonin një mesazh.
“Shoqëria jonë është shumë patriarkale dhe homofobike. Kjo është diçka që na takon neve, pse duhet të përzihet shoqëria këtu?”, tha Ahmetaj para ceremonisë.
Tre kate më poshtë, policia ruante hyrjen e ndërtesës në rast proteste. Kur dasma u njoftua në rrjetet sociale një ditë më parë, në komente u vu re një gjuhë urrejtje.
“Njerëz të sëmurë,” tha njëri. “Duhet të digjesh në ferr”, ka shkruar një tjetër.
Ndërsa shumica e Evropës Perëndimore ka bërë hapa drejt barazisë martesore, të drejtat janë të kufizuara në pjesën më të madhe të Evropës Qendrore dhe Lindore. Greqia fqinje miratoi në ligj martesën e të njëjtit seks në fillim të këtij viti dhe Kosova, e cila gjithashtu ka një shumicë shqiptare etnike, po konsideron njohjen e bashkimeve të të njëjtit seks së shpejti.
Por liderët myslimanë dhe të krishterë kanë ndikim të fortë në Shqipëri dhe e kanë kundërshtuar një ndryshim të tillë. Sipas një raporti të BE-së vitin e kaluar, rreth 40% e komunitetit shqiptar LGBT+ raportuan incidente diskriminimi. Vetëm një e pesta e tyre u raportuan në polici.
Më 10 shkurt, Mara dhe Ahmetaj teksa po pinin kafe me vajzat e tyre në një kafene të Tiranës, u kërcënuan në Facebook ku thuhej se do të qëlloheshin me snajper në mes të ballit nëse do të shkonin sërish atje.
“Kisha frikë ta kaloja atë rrugë për ditë të tëra, rreziku në mendjen time është ende i pranishëm”.
Megjithatë, gratë kërkojnë të drejtat e tyre!
Ato kanë shkuar në gjykatë për t’u njohur si prindër të përbashkët të vajzave të tyre. Nëse kjo dështon, ato planifikojnë ta referojnë çështjen e tyre në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, në Strasburg.
“Ne nuk do të ndalemi së luftuari,” tha Mara, nëna biologjike. “Vajzat tona meritojnë të na kenë të dyja në dokumente zyrtare”.
Ceremonia e së dielës u zhvillua me pamje nga sheshi kryesor i Tiranës. Disa dhjetëra të ftuar pinin verë dhe duartrokisnin për miqtë e tyre.
“Atyre që janë kundër kësaj martese po u them se asgjë nuk do të ndryshojë, toka ende rrotullohet, Shqipëria do të vazhdojë të jetë e varfër dhe e ndotur”, tha Xheni Karaj, një aktiviste LGBT+.
- Gjyqi historik në Francë/ Presidenti Macron falënderon Gisele Pelicot: Dinjiteti dhe kurajoja juaj kanë inspiruar botën! - 20/12/2024
- Përqafime dhe të qeshura! Dalin pamjet nga takimi i Ramës, Kurtit dhe Osmanit/ Momenti epik kur kryeministri i jep dorën edhe Spiropalit - 20/12/2024
- Sopranoja: Parashqevia komuniste? Godole injorante dhe me prejardhje komuniste! - 20/12/2024