Kryeministri Edi Rama është shprehur se Shqipëria nuk ka qenë kurrë më afër anëtarësimit në Bashkimin Europian sesa sot.
Komentet Rama i bëri nga mbledhja e Grupit Parlamentar të PS-së, ku tha se forcës politike që ai drejton, i takon edhe pjesa kryesore e barrës në luftën kundër korrupsionit dhe integrimit.
Ai shtoi se duhet një harmonizim mes institucioneve të Legjislativit, Ekzekutivit dhe Gjyqësorit, në mënyrë që vendi ta ketë më të lehtë hyrjen në Union.
“Prej 10 vitesh, kjo nuk është më një luftë arnash, siç ishte atëherë, por një luftë e gjithanshme, për goditjen e sistemit paralel të korrupsionit. Kjo luftë nuk është zhvilluar as pa gabime, as pa dështime e zhgënjime.
Por deri këtu ne kemi bërë shumë dhe kemi arritur jo pak. Këtë e thotë vendimi i BE-së për çeljen e negociatave për anëtarësim. Nuk çelte kurrë negociatat BE, nëse Shqipëria nuk do ishte ndryshuar si dita me natën.
Nuk i jepte as statusin e vendit kandidat BE Shqipërisë atëherë. Nuk ka dokumenta të tjera ndërkombëtare me objektivitet të pakonkurueshëm si dokumenta të Komisionit Europian, për faktin e thjeshtë se janë dhjetëra njerëz në Tiranë e Bruksel, që punojnë çdo ditë të javës me saktësi kirurgjikale, në mbledhjen, leximin e fakteve dhe përshkrimin e detajuar të një shteti në procesin e integrimit. Ai dokument skrining i përshkruante të gjitha arritjet.
Shqipëria nuk ka qenë kurrë më afër anëtarësimit në BE, sepse nuk ka qenë kurrë më parë shtet demokratik e europian më shumë se sot. Por i vërtetë është edhe fakti që korrupsioni nuk është s’mbrapsur. Lufta ndaj tij duhet të vijojë nga të gjitha institucionet.
Duhet një harmonizim i domosdoshëm i Legjislativit, Elkzekutivit dhe Gjyqësorit, në shërbim të integrimit të Shqipërisë në BE. Duhen përafruar më shumë ligjet tona me BE, duhet rritur transparenca, llogaridhënia, kontrolli. PS i takon pjesa e luanit në këtë luftë. Qoftë për arritjet e pranuara botërisht, por edhe për mosarritjet e njohura”, tha Rama.