-0.5 C
Tirana
22 / 12 / 2024

Rasti Goro dhe konspiracioni qesharak kundër SPAK

Nga Mero Baze

Ka një nxitim të madh nga gjithë mbështetësit shqiptarë dhe grekë të Belerit, që në arrestimin e Jorgo Goros të shikojnë “dorën” e Edi Ramës. Për këtë kanë shpërthyer dhjetëra teori konspirative se si Edi Rama arreston të vetët gjithmonë, që të mos kuptohet pse SPAK ka arrestuar Berishën dhe Belerin, apo pse po heton Metën.

Sipas këtyre, edhe pse Rama ka pesë krye bashkiakë të dënuar këto dy vjet, zëvendëskryeministrin, ministra deputetë e dhjetëra zyrtarë të lartë, të gjithë këta i paska arrestuar që të “mbulojnë” arrestimin e Berishës.

Po kështu, Jorgo Goro sipas tyre është arrestuar po nga Rama, për të mbuluar arrestimin e Belerit.

E gjithë puna është se si të godasin integritetin e SPAK dhe të mos konsiderojnë aktet e tij si akte të drejtësisë por të politikës.

E vërteta në shifra dhe përmbajtje tregon se qeveria është e goditura e madhe nga drejtësia e re, por ajo e ka pranuar goditjen edhe pse në disa raste ka pas motivime klienteliste.

Nga opozita deri tani është goditur Berisha për korrupsion madhor familjar, çka e ka sanksionuar dhe SHBA dhe Britania e Madhe përpara se të vepronte prokuroria, dhe ka shkuar për hetim dosja e 21 Janarit në SPAK, kundër dëshirës dhe vullnetit të dukshëm të SPAK. Rasti i dytë është Beleri për vjedhje votash. Meta është ende nën hetim.

Tani vetëm që këta të tre të mos preken, ose së paku të delegjitimohet ndëshkimi ndaj tyre, duhet të pranojmë shpikjen e opozitarëve se gjithë arrestimet e qeverisë janë lojë vetëm për këta të tre. A thua se Rama i ka problem këta të tre në opozitë, dhe i duhet të sakrifikojë gjithë ata zyrtarë të lartë, ministra, deputetë e kryetar bashkie, që të justifikohet dënimi i Berishës, Belerit dhe ndoshta Metës.

Por në rastin e Goros është dhe më e rëndë, pasi e akuzojnë SPAK që ka e ka komanduar Edi Rama për një padi që e ka bërë vetë Beleri dhe që akuzën e ka hetuar një prokuror, i cili vetëm me Edi Ramën nuk ka qenë ndonjë herë afër.

Pra dhe kur ngrenë vetë akuzën dhe kur kanë një prokuror që nuk është i Ramës, përsëri i gjithë konspiracioni drejtohet kundër SPAK për ta konsideruar atë vegël të Ramës.Mendo tani sikur me të njëjtën logjikë, Rama të akuzonte prokurorinë që ka qenë i PD apo i afërt me Greqinë, pse i ka arrestuar Goron.

Po meqë është kështu, i bie që dhe Beleri të jetë vegël e Ramës meqë Rama e ka përdorur të ngrejë akuzën kundër Goros për interesa të tij. Dhe kjo puna e “agjentit” nuk është, se nuk i besohet.

Problemi është se opozitës nuk i funksionon alibia për problemet e saj me ligjin dhe në thelb ju intereson më shumë beteja me drejtësinë, se sa beteja me Ramën. Ndaj u duhet ta bashkojnë drejtësinë me Ramën dhe kur ajo është kundër Edi Ramës.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x