8.5 C
Tirana
05 / 02 / 2025

Mbyllen aplikimet për subvencionimin e grurit/ 1559 aplikime nga Qarku Korçë

1559 fermerë nga Qarku Korçë kanë aplikuar për të përfituar subvencionim për mbjelljen e grurit. Bëhet fjalë për subvencionimin e një sipërfaqeje prej rreth 5675 ha me një vlerë aplikimi prej rreth 170 mln lekë. 

Burime pranë Drejtorisë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor bëjnë me dije se tashmë është kaluar në fazën e dytë të projektit atë të mbledhjes së dokumentave të fermerëve. 

Në këtë fazë, fermerët kanë në dispozicion 15 ditë kohë, për të dorëzuar dokumentin e pronësisë apo përdorimit të tokës mbi të cilën do të mbjellin grurin. Fermerët do të marrin pagesën për mbjelljen e grurit vetëm pasi të shpallen fitues nga AZHBR. 

Një fermer i cili ka mbjellë 1 hektarë grurë do të marrë 30 mijë lekë subvencion, në bazë të sipërfaqes së mbjellë ndërsa nuk ka një tavan maksimal, pasi prioritet në këtë skemë mbështetëse, ka qenë rritja e sipërfaqeve të mbjella me grurë. 

Qarku Korçë është një ndër kryesorët sa i takon kultivimit të kulturës së grurit dhe vitin e kaluar, sipërfaqet e mbjella kanë shkuar në 12 750 ha. Në këtë fazë aplikimesh, është renditur ndër 4 Qarqet me aplikimet më të larta për të përfituar nga kjo skemë. 

Kultura e grurit ze një sipërfaqe toke të konsiderueshme me një prodhim rreth 55 mijë ton grurë në vit. Ndër kultivarët që japin rendimentin më të lartë në prodhim janë Dajti, Silva dhe Progress që përshtaten më së miri edhe me klimën e zonës. 

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x