12.5 C
Tirana
17 / 05 / 2026

Je martuar me dashuri apo mblesëri? 

Nga Irena Beqiraj

Secilit nga ne i është dashur më shumë një herë ti përgjigjet pyetjes: – “Ti je martuar me dashuri apo mblesëri?”, – sepse secili nga ne, dashur apo pa dashur ka qenë pjesë e tregut të paorganizuar të mblesërisë. 

Në tregun e pa organizuar edhe jo zyrtar të mblesërisë, nënat edhe miqtë përpiqen të gjejnë kandidatë të përshtatshëm për partnerë. Hapat e parë për ta zyrtarizuar këtë treg kanë filluar në vitin 1727 kur Helen Morrison bëri reklamën e parë personale e Manchester Weekly Journal, ku tha se po kërkonte një “zotëri të mirë”. 

Ndërsa ishte Nobelisti Gary Becker i cili prezantoi për herë të parë konceptin e “tregut martesor” gjatë viteve 1960-të. Ai shpjegonte se takimet në këto tregje nuk kanë domosdoshmërisht lidhje me dashurinë, por me funksionin e dobisë. “Njerëzit duan të martohen sepse presin që me anë të saj të “rrisin nivelin e tyre të dobisë, duke e krahasuar me atë që do të kishin nëse do të qëndronin beqarë”. Pra përmes ofertës dhe kërkesës për gra dhe burra “në tregjet martesore”, ata gjejnë bashkëshortin e tyre. 

Për ekonomistët “tregu” nuk është thjesht “një vend por një proces përmes të cilit oferta dhe kërkesa përcaktojnë çmimin. Në tregjet “e mblesërisë” çmimi nuk përcaktohet në para por “çmimi” janë karakteristikat e veçanta, të cilat përputhin kërkesën me ofertën.

Bazuar në këto përcaktime në vitin 1964, tre studentë te Harvard-it zhvilluan tregun e parë të organizuar të mblesërisë me një algoritëm takimesh të quajtur Operation Match. Për të marrë pesë emrat e kandidateve “të përputhshëm me kërkesat e përdoruesit” përdoruesi duhet t’u përgjigjej 135 pyetjeve dhe të paguante 3 dollarë. 

Padyshim që tregjet e organizuara zyrtare të mblesërisë funksionojnë më mirë se tregjet e vogla familjare e miqësore për shkak të “volumit të transaksioneve”.

Nobelisti tjetër Alvin Roth shkruan se tregjet e mblesërisë funksionojnë mirë nëse janë mjaftueshëm “të populluar”. Fundja miqtë dhe nënat tona njihnin disa dhjetëra njerëz, ndërsa një platformë takimesh ka qindra mijëra pjesëmarrës. Tregu i vogël i takimeve, te “miqtë dhe nënat” tona shpesh ishte i pamjaftueshëm pikërisht për numrin e ulët të pjesëmarrësve.

Organizimi i tregjeve, përdorimi i algoritmeve e kanë përshpejtuar, procesin e gjetjes së një partneri të përshtatshëm. Por, as atëherë tregjet e vogla private dhe as SOT algoritmet e sofistikuara të takimeve në internet nuk garantojnë dashurinë.

Ndaj do të vazhdojmë ta pyesim njëri tjetrin – Ti, je martuar me dashuri apo mblesëri?

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x