Nga Ledio Alite
“FDI Intelligence”, një segment i Financial Times, në raportin e vitit 2022 për njëqind e shtatëdhjetë e nëntë vende renditi Shqipërinë bashkë me nëntë shtete afrikane në listën e atyre me ikjen më të lartë të ‘trurit’.
Në analizën e tyre për vitin 2022, u zbulua se arkipelagu polinezian i Samoas u përball me ndikimin më thelbësor, duke regjistruar nivelet më të larta të ikjes së intelektualëve.
Termi “ikje e trurit” nënkupton një fenomen ku një pjesë e konsiderueshme e individëve të arsimuar ose të aftë zgjedhin të largohen nga vendi i tyre në kërkim të mundësive dhe mjeteve më të mira të jetesës jashtë vendit. Autorët e raportit nënvizuan se shkaqet e ikjes së trurit mund t’i atribuohen një kombinimi të faktorëve politikë dhe ekonomikë.
Këto studime serioze zbulojnë se Shqipëria ka dëshmuar një rigjallërim të emigracionit gjatë dekadës së fundit, duke ndikuar në të gjithë popullsinë e saj dhe fushën e arsimit, ku viti universitar sa vjen e nis me më pak pjesëmarrje. Ky fenomen i ikjes së ‘trurit’ ka shkaktuar një krizë të fuqisë punëtore në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.
Argumentat justifikuese mbi këto rezultate kanë qenë të ndryshme, si p.sh; “Jetojmë në kohën e globalizmit dhe njerëzit janë të lirë të lëvizin e të jetojnë si të duan kudo në botë. Shqipëria sot po drejton botën… Në Shqipëri, kushtet mesatare janë të kënaqshme”.
Por cila mesatare? Si mesatarja me pulat? Unë konsumoj dy pula, ti asnjë, dhe ne të dy konsumojmë mesatarisht nga një pulë?
Këto janë statistika të vendeve ku kapitali në para është më i rëndësishëm se kapitali njerëzor apo kapaciteti intelektual, pra kapitalizëm shumë i egër ku predikohet vetëm pragmatizmi.
Dakord, edhe ky është një sistem i njohur në botë, por po na rezulton në menyrë faktike se po kontribuon në pakësimin e subjektit bërthamë të shtetit, qytetarit shqiptar. Është e vërtetë që vende në perëndim janë zhvilluar nga fuqia e emigrantëve kur popullsitë vendase janë larguar apo dobësuar, por këto janë vende me industri dhe ekonomi të forta. Çfarë do zhvillojnë shtetasit e huaj në një Shqipëri ku edhe vendasit nuk po zhvillohen dot në krye të herës personalisht?
Arsyet e mosveprimit të brendshëm, jo vetëm në Shqipëri por kudo në listën e vendeve me rezultate negative, me siguri lidhen me mungesën e shpresës, duke observuar realitetitn çdo ditë, duke u ndjerë të dobët. Një shprehje popullore thotë; “Kur halli hyn nga dera, nderi del fishek nga penxherja”.
Atyre që e duan Shqipërinë u është paralizuar mendimi dhe nuk gjejnë mekanizëm se si të predikojnë qendrimin dhe zhvillimin e jetës në Shqipëri. Duke analizuar listën e vendeve në Financial Times, vërehet se vendet me rezultate më të mira janë ato vende ku drejtësia është e pandalshme.
Prandaj, lipset që shqiptarët me ndërgjegjen më të lartë kombëtare të gjenden në rradhët e para të sistemit të drejtësisë, më shumë se të politikës. Çdo ditë e më shumë shqiptarët duhet të kërkojnë shpresën te një standard më i lartë drejtësie në këtë sistem.
Ndërsa politikës, i lind përgjegjësia të konceptojë një Kushtetutë te re që përfaqëson në rradhë të parë çdo shqiptar, dhe që të jetë një dokument i pandryshueshëm politik dhe juridik, bazuar në modelin amerikan. Një Kushtetutë që lejon çdo shqiptar të punojë dhe të jetojë me djersën e tij, dhe që detyron çdo shqiptar të jetë krah për shqiptarin tjetër. Kaq mjafton të bëjnë kombet e vogla në mënyrë që të zhvillohen, të unifikohen!
A e do më njeri këtë vend?