Nga Ledio Alite
Më kujtohen si tani kritikat e forta të medias dhe politikës ndaj një zonje të guximshme e cila aspironte të bëhej Kryeministre e Italisë. Giorgia Meloni. Gjithmonë kam besuar se drejtimi nga një grua e rijetëson drejtimin e një republike. Një zonjë nga Roma e cila sfidoi të gjithë zotërinjtë duke arritur të triumfojë në zgjedhje, po vazhdon të na surprizojë me aktet e saj europiane.
Mediat italiane dhe shqiptare raportuan së fundmi se Kryeministrja italiane po pushon disa ditë në Vlorë me familjen pasi udhëtoi nga Puglia në rrugë detare. Një lajm i bukur. Bukuria e kësaj vizite përqafohet te fakti i të qenurit një vizitë informale. Disa ditë pushime familjare, dhe mos harrojmë, se pushimet familjare janë diçka personale, pavarësisht se ftesa mund të jetë nga një homolog si Kryeministri shqiptar. Mendimi rrjedh në dy sfera kuptimplota logjike nga kjo që shohim.
Së pari, zonja Meloni jo vetëm që nuk rezultoi një ‘fashiste e tërbuar’ siç edhe u sulmua nga kritika, por përkundrazi, fuqia e saj e komunikimit publik edhe nëpërmjet këtyre akteve minore të cilat flasin shumë, portretizon një Giorgia europiane në të gjitha dimensionet, tek e cila Shqipëria po gjen shijen e partneritetit origjinal midis dy vendeve. Do të doja që dhe brezi i ri të ishte i vëmendshëm mbi këto ngjarje, pasi kohë pas kohe është larguar prej shoqërisë sonë disi ajo ‘Italomani’ për gjuhën, muzikën, filmin, pra kulturën italiane, me të cilën jemi rritur.
Së dyti, fakti që drejtuesja e një shteti aq të rëndësishëm botëror siç është Italia, zgjedh të pushojë disa ditë në Shqipëri, është një përparim për imazhin e vendit në turizëm, dhe kjo falë punës së palodhur të shqiptarëve që përpiqen të ndërtojnë diçka çdo ditë për t’u përshtatur me ritmet globale. Kritikat nuk kanë të sosur si në çdo vend, por sidoqoftë rezulton një bilanc pozitiv mendimesh. Megjithatë, nuk duhet të gëzohemi para kohe, pasi rritjet e menjëhershme të shifrave të turistëve në vitet ne vijim mund të sjellin papërballueshmëri të shërbimit, kështu që lipset të përgatitemi çdo vit me plane të detajuara kapacitetesh dhe ritmesh.
Të kthehemi në Vlorë, ku me siguri është darkuar përballë një perëndimi të llahtarshëm nën flladin e kodrave. Në atë Vlorë ku dikur kemi luftuar për shkak të një vorbulle të paarsyeshme të kohës. Në atë Vlorë ku dikur përplasej lindja me përëndimin, e ku sot trokasin gotat europianët (nën një emër). Duhet të ndihemi krenarë për veten, që ne shqiptarët po integrohemi tashmë plotësisht me popujt europian dhe botëkuptimin e tyre. Apo më saktë, që po rikthehemi plotësisht në identitetin tonë europian. Turizmi është Ambasadori më i madh i një vendi, ndaj dhe si fushë kryesore e zhvillimit tonë, kërkimi i diçkaje gjithmonë e më të mirë duhet të jetë në reflektimet e të gjithëve ne.
Faleminderit që na dhatë një mesazh ne dhe të gjithë Europës së bashkuar, zonja Meloni.
Një dolli nga Tirana, për Ju në Vlorë…
- Sinjal pozitiv nga Brukseli, Marta Kos për BBC: Shqipëria po ecën mirë në rrugën e integrimit - 17/04/2026
- FOTO-LAJM/ Protesta e PD, më shumë Range Rover se protestues! Pamje nga oborri i selisë blu - 17/04/2026
- Opozita kthen podiumin në protestën e së premtes, Belind Këlliçi tregon arsyen - 17/04/2026