15.5 C
Tirana
29 / 03 / 2026

INTERVISTË: “Çfarë je ti demokrat apo socialist?” Profesori i njohur pyetet për kritikat ndaj politikës dhe ka një përkufizim për ‘minjtë e portaleve’

“Shqipëria ka bërë hapa të mëdha përpara, po ajo ende nuk e ka bërë hapin e madh, atë vendimtar, që do e shkëpuste këtë vend nga e kaluara që vazhdon ta tërheqë pas. Berisha dhe berishizmi, si epitoma të së shkuarës paramoderne dhe parademokratike, janë shembulli më domethënës – thotë profesor Fatos Tarifa në këtë intervistë në DITA.

Institucionet e këtij vendi ende nuk janë zhvilluar në atë shkallë sa të funksionojnë si organizata burokratike moderne, veprimtaria e të cilave do të duhej të udhëhiqej nga prirja për efiçiencë dhe racionalitet, – shton ai.

Me profesor Tarifën bisedoi gazetari Xhevdet Shehu:

Prof. Tarifa, shumë qytetarë i mbajnë sytë dhe veshët nga ju. Duan të shohin e të dëgjojnë se ç’thoni ju, jo vetëm për zhvillimet ndërkombëtare dhe politikën e jashtme të vendit tonë, pasi në këtë fushë askush nuk ka ekspertizën tuaj, por edhe për zhvillimet politike e shoqërore në vend, pasi, si sociologu ynë më i njohur, mendimi juaj ka një peshë të veçantë. Ç’mund të thoni, me pak fjalë, për zhvillimet e sotme në Shqipëri?

Miku im, Xhevdet. Nuk besoj se ka njerëz që presin t’i mësojnë të vërtetat e politikës shqiptare dhe asaj ndërkombëtare nga unë. Njohuritë e mia janë modeste, edhe pse të fituara nga një shkollim i mirë në Perëndim dhe nga një eksperiencë akademike dhe jetësore e pasur.

Në një shoqëri si kjo e sotmja, kur çdokush ka akses te një numër i madh burimesh informacioni, mendimet dhe opinionet e individëve të veçantë nuk kanë atë peshë që kanë pasur në epokën paradigjitale, pavarësisht se mediat online e kanë zgjeruar pa masë aksesin për të arritur audienca më të gjera.

Unë nuk jam ndër ata që kërkojnë ndjekës dhe mburren me numrin e tyre, prandaj edhe nuk më gjen as në Facebook, as në Twitter, as në Instragram. Duke qenë një mësues i të paktën dy brezash studentësh shqiptarë, autor i dhjetra librave dhe i qindra artikujve të botuar në shtypin shqiptar, shumë prej tyre në këtë gazetë të nderuar, unë mund të kem shumë dashamirës në këtë vend dhe, nuk e fsheh, më vjen mirë kur dëgjoj që shumë prej tyre shprehen me konsideratë për ato që shkruaj dhe them publikisht.

Por, kushdo nga ne që kemi se ç’të themi dhe guxojmë t’i shprehim mendimet tona publikisht, merr mbi vete riskun e gjykimeve dhe, shumë herë, të sulmeve nga kushdo që mendon ndryshe, që nuk i pëlqen fytyra që kemi apo biografia e familjes sonë.

Si një intelektual publik i angazhuar, opinionet që unë shpreh publikisht nuk lënë të painteresuar edhe ata që mund t’i quaja kundërshtarë të mi, edhe pse pjesën më të madhe as i njoh, as më njohin personalisht, pra nuk dinë asgjë për mua. Siç nuk di dhe unë asgjë për ta.

Ndonjëherë, “kundërshtarë” të tillë, animositeti i të cilëve shkon në kufijtë e absurdit, bëhen shumë agresivë. Një tipar i trashëguar gati gjenetikisht te ne shqiptarët. Shumë herë—dhe ju e dini—portalet online të gazetave te ne mbushen me sharje dhe fyerje nga më të shëmtuarat dhe nga më idiotet prej njerëzish të pafytyrë, që unë i quaj minj portalesh.

Them të pafytyrë, sepse, ndërsa kushdo nga ne që shkruajmë ose flasim për publikun, shënojmë emrin tonë dhe vëmë reputacionin tonë në gjykimin e publikut, minjtë e portaleve (në të kaluarën përdornim fjalën skuth), janë anonimë. Ata i fshehin fytyrat dhe emrat e tyre pas “emrave” të tillë, shumë herë qesharakë, si: profeti, patrioti, antikrishti, mali, emigranti, lupo di mare e ku ta di unë.

Nëse mendimi im për zhvillimet e sotme në Shqipëri, siç thoni ju, ka vërtet ndonjë farë peshe (peshë për kë?), do të ishte shumë e vështirë, në mos e pamundur, që t’i përmblidhja ato çfarë mendoj në pak radhe për këtë intervistë.

Por mund të them këtë: Shqipëria ka ndryshuar shumë dhe po ndryshon nga dita në ditë. Sot Shqipëria është një vend më i zhvilluar se sa 30, 20 apo 10 vite më parë. Ndryshimet e bëra janë të dukshme për këdo që ka sy të shohë—për ata që jetojnë këtu dhe për ata që e vizitojnë këtë vend.

Problemi më i madh që ka pasur dhe ka Shqipëria në këto tri dekada është politika e saj, me çka kuptoj politikanët e saj—një pjesë e madhe e politikanëve që kemi pasur dhe shumë nga politikanët që kemi sot. Mendimi i shumicës së tyre është protodemokratik, ndërsa sjellja e tyre politike motivohet jo nga interesi publik, por nga interesi i tyre personal material. Kjo u dëshmua më së miri edhe së fundmi, kur deputetët tanë vendosën të rrisin pagat e tyre dhe të ministrave.

Shqipëria ende nuk e ka bërë hapin e madh, atë vendimtar, që do e shkëpuste këtë vend nga e kaluara që vazhdon ta tërheqë pas. (Berisha dhe berishizmi, si epitoma të së shkuarës paramoderne dhe parademokratike, janë shembulli më domethënës). Institucionet e këtij vendi ende nuk janë zhvilluar në atë shkallë sa të funksionojnë si organizata burokratike moderne, veprimtaria e të cilave do të duhej të udhëhiqej nga prirja për efiçiencë dhe racionalitet, që janë, sipas Weberit, dy karakteristikat themelore të kapitalizmit.

Shqiptarët ende nuk kanë krijuar një kulturë politike demokratike të vërtetë, në të cilën idetë, meritat dhe vlerat t’i zënë vendin kultit të liderit. Ne ende kemi parti të dobta që prodhojnë liderë të fortë dhe liderë të fortë që drejtojnë parti të dobta. Parti politike të dobta krijojnë kultin e indivit, kultin e liderit që drejton me metoda autoritariste, jodemokratike dhe, ipso facto, ata individë që liderët e partive politike çojnë në parlament si “deputetë të zgjedhur nga populli”, s’janë veçse ushtarë të regjimentuar që u japin llogari kryetarëve të partive të tyre dhe jo pupullit që voton listën në të cilën emrat e tyre janë vënë nga kryetarët.

Nuk flas për anëtarësimin e vendit tonë në NATO dhe përpjekjet për të negociuar anëtarësimin tonë të ardhshëm në BE. Ky është një subjekt më vete, për të cilin kam folur edhe më parë.

Ka nga ata që mendojnë se qëndrimet tuaja të shprehura publikisht nuk janë konstante, sepse herë shpreheni me tonet më të ashpra për Berishën dhe opozitën, herë të tjera jeni kritikë ndaj Ramës dhe socialistëve. Pyetja ime, thjesht dhe shkoqur, ështe kjo: a jeni ju një socialist, apo një demokrat? Çfarë duhet të dijë publiku për pikëpamjet dhe sjelljen tuaj politike?

Nëse ka diçka me të cilën nuk do të bëja kompromis kjo janë bindjet e mia. Natyrisht, unë nuk jam një dogmatik, nuk përdor flalët “kurrë” dhe “absolutisht”. Si një studiues i dukurive shoqërore unë përpiqem t’i verifikoj vazhdimisht njohuritë dhe bindjet e mia. 

Por bindjet e mia politike janë të qarta për këdo që më njeh mirë. Besoj edhe për ju vetë. Të kritikosh Berishën dhe opozitën e sotme nuk do të thotë se je një socialist i verbër, apo një armik i kundërshtarëve të tu politikë. Kritika lipset, para së gjithash, të jetë racionale, jo vetëm për njerëz si unë, që nuk janë të angazhuar drejtpërsëdejti në politikë, por edhe për ata që janë të angazhuar në parti dhe në veprimtari politike.

Si një sociolog publik i angazhuar, unë nuk mundem të vëzhgoj se ç’ndodh në jetën e shoqërisë sonë si të isha një spektator i një drame njerëzore, me të cilën nuk më lidh asgjë, dhe as me kokën mbi re, por duke qenë i përfshirë në një sferë të ndërlikuar publike, pa të cilën—dhe jashtë së cilës—ekzistenca jonë si qenie shoqërore dhe misioni im si sociolog nuk do të bënin kuptim.

Nga ky këndvështrim, unë nuk mund të mbaj krah dhe të mos reagoj, nëse shoh se diçka nuk shkon dhe, sidomos, kur shoh se cënohen interesi kombëtar dhe ai publik.

Çfarë jam unë, demokrat apo socialist?

Unë jam po aq demokrat sa edhe demokratët më të mirë, më të ndershëm e më progresistë të kësaj republike. Unë nuk mendoj se përkatësia apo puna militante në Partinë Demokratike të bëjnë një demokrat të vërtetë—me bindje dhe sjellje vërtet demokratike. Në radhët e Partisë Demokratike ka pasur qysh nga fillimi dhe vazhdon të ketë mjaft njerëz (Berisha i pari), që veç demokratë nuk janë, madje edhe të tillë që, me veprimtarinë e tyre i kanë sjellë shumë dëme rendit demokratik që jemi përpjekur dhe përpiqemi të krijojmë.

Po socialist? Po, pa as më të voglin dyshim, unë jam një socialist, edhe nëse shumë herë jam kritik ndaj qëndrimeve dhe poitikave të një qeverie socialiste.Unë gjykoj se jam—me bindje dhe me shpirt—më socialist sesa pjesa më e madhe e atyre që e përfaqësojnë këtë parti (jo popullin) në parlamentin e vendit, ose e atyre që drejtojnë punët e qeverisë në emër të Partisë Socialiste.

Shumë herë, madje, kur shoh deputetë të PS-së në parlament, mendoj se ata s’i lidh asgjë me socializmin dhe partinë socialiste veç mandatit të deputetit që u ka dhënë kryetari i saj (jo zgjedhësit).

Duke qëndruar jashtë radhëve të partive politike, unë nuk jam aspak i çinteresuar për politikën. Si shumica prej nesh, unë jam një homos politicus; unë mendoj, unë ndjej, unë flas, unë luftoj, unë kërkoj ndryshimin demokratik të institucioneve. Por, si një sociolog i politikës, unë jam i interesuar për politikën edhe nga një këndvështrim racional kritik, që e imponon tek unë vokacioni im akademik.

Ju keni qenë vazhdimisht kritik ndaj shumë prej qëndrimeve të kryeministrit socialist Edi Rama dhe qeverisë së tij. A jeni ju në opozitë me të dhe me qeverinë e tij?

Jo. Unë nuk jam në opozitë me Partinë Socialiste dhe me qeverinë që e drejton sot këtë vend, pra as me kryeministrin aktual. Unë kam votuar dhe votoj për Partinë Socialiste. Të ndjerët prindërit e mi po kështu. Familjarisht ne jemi të një stofi socialist.

Të kritikosh kryemnistrin Rama dhe qeverinë e tij nuk do të thotë se je kundërshtar i tyre. Edhe më parë, këtu në gazetën DITA, kam vënë në dukje se kritika ndaj institucioneve ekzistuese të shtetit dhe politikës shtetërore është një “tendencë inherente” që buron nga vetë natyra e aktivitetit krijues të intelektualëve, “një sëmundje profesionale e intelektualëve”, siç shkruante Raymond Aron, apo “një ndër tiparet që i dallon” intelektualët nga njerëzit e tjerë, siç do të shprehej Joseph Schumpeter—me fjalë të tjera, një “cilësi e sendërtuar në vetë natyrën dhe rolin e tyre profesional” (Seymour Martin Lipset).

Në këtë vështrim, qendrimi im kritik ndaj Edi Ramës dhe deputetëve socialistë është një qëndrim intelektual, pra një qëndrim racional kritik. Me fjalë të tjera, opozita ime ndaj tyre nuk është një opozitë politike, por një opozitë intelektuale.

Ju keni qenë tërë këto kohë kritikuesi më  vokal i projektligjit për ngritjen e pagave të deputetëve dhe të ministrave. Ai ligj u miratua në parlament thuajse nga të gjithë deputetët. Ç’mund të thoni tani post factum?

Mund të them sa jam tërësisht i zhgënjyer. Me miratimin e atij ligji, të hartuar nga kjo qeveri socialiste që drejtohet nga Edi Rama, deputetët e kuvendit të Shqipërisë kryen një veprim politikisht gabuarmoralisht të pandershëm e të turpshëm dhe ligjërisht i dënueshëm. Ata, përveçse dhunuan kodin e sjelljes morale të deputetëve, të cilin e kanë miratuar vetë dhe është i detyrueshm për ta, shpërdoruan në një mënyrë të shëmtuar vullnetin dhe besimin e qytetarëve sepse, në vend që të dëshmojnë se preokupohen për nevojat e masës së gjerë të qytetarëve dhe të punojnë për përmirësimin e kushteve të tyre të jetesës, ata vedosën të rrisin pagat e tyre dhe të ministrave.

Deputetët tanë—thuajse të gjithë, pa përjashtim—dëshmuan haptazi dhe paturpësisht pangopësinë e tyre për para dhe ngutjen për t’i marrë ato sa më parë. Kur vjen puna për interesat e tyre, deputetët tanë—socialistë dhe demokratë—na dëshmuan dje, përtej çdo dyshimi, se janë njëlloj, se kanë të njëjtat interesa, edhe pse këto interesa i justifikojnë, i argumentojnë, i shprehin dhe i mbrojnë nën një lëvozhgë gjuhësore ideologjikisht të ngjyrosur.

Për ata që s’kanë mundur ta ndjekin reagimin tim publik, qëndrimin tim për këtë çështje e përmbledh si më poshtë:

(a) Unë dëshiroj që të ardhurat për frymë, pra edhe pagat e të gjithë punonjësve (edhe atyre të administratës publike) në vendin tonë të rriten gjithnjë e më shumë.

(b) Unë mendoj se çdo rritje pagash duhet të fillojë me rritjen e ndjeshme të të ardhurave të shtresave më në nevojë, të atyre qindra mijë pensionistëve, qytetarëve në asistencë dhe punonjësve që marrin një pagë minimale thuajse poshtëruese, për të vazhduar më tej me të gjitha kategoritë e punonjësve të vendit;

(c) Unë gjykoj se duhen rritur edhe pagat e deputetëve dhe të anëtarëve të qeverisë, por nga ngritja e tyre, e cila u miratua në kuvend, nuk duhet të përfitojnë deputetët dhe ministrat aktualë, këta të sotmit, por deputetë që do të zgjidhen në kuvend dhe ministrat që do të emërohen në kabinetin qeveritar pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të vitit 2025.

Ajo që unë kam kundërshtuar dhe e kam cilësuar si një akt të turpshëm e të dënueshëm është që deputetët të miratonin pagat që do të marrin ata vetë. Dhe pikërisht kjo ndodhi. Për turpin e tyre në radhe të parë dhe të qeverisë që e propozoi këtë ligj. Pjesa më e madhe e shqiptarëve, ata që jetojnë më keq, ndihen sot të tradhëtuar nga “përfaqësuesit” e tyre dhe nga drejtuesit e qeverisë së tyre.

Kryeministri Rama u shpreh se ai vetë nuk do e votonte atë projektligj. Si mundet atëherë që të gjithë deputetë socialistë e votuan?

Nuk e di nëse kryeministri Rama është shprehur vërtet kështu, por nëse është e vërtetë, ai është tallur me këtë popull, të cilin duket se e sheh si një tufë delesh që i besojnë dhe i shkojnë pas verbërisht atij, çobanit. Nuk do shumë mend. Rama nuk mund të refuzonte të votonte një ligj, të cilin e kishte propozuar qeveria që ai drejton, pra ai vetë.

Ose, për t’i qëndruar besnik fjalës së tij në kuvend, kryeministri edhe mund të mos e ketë votuar atë projektligj, pasi duke pasur të sigurta shumicën e votave në parliament, vota e tij nuk do të ishte aspak e nevojshme.

Morali i fabulës? Unë refuzova ta miratoj projekligjin që e hartova vetë. Fajin e kanë deputetët. As unë, as ministrat e mi dhe as deputetët nuk donim paga më të larta, por ç’tu bëj shumicës së deputetëve që vendosën t’i rrisin ato në kundërshtim me interesat dhe dëshirat tona.

Cili idiot, në këtë fshatin tonë, do e hante këtë? Më thoni ju.

DITA

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x