Shkrimtari, studiuesi dhe artisti shqiptar Stefan Çapaliku, ka botuar së fundmi librin “Korçë e Shkodër, meridiane dhe paralele”.
Kur përmend emra të tillë si Korça dhe Shkodra, mendja të shkon te dy organizma të largëta, të largëta me trup dhe të afërta me shpirt.
Ky libër merret me qytetin e zhvilluar në kushte lirie dhe jashtë presionit ideologjik. Ai fokusohet në gjysmën e parë të shekullit të XX dhe tenton të japë një kontribut në të ashtëquajturën antropologji urbane për Shkodrën si kryeqytet i letërsisë, me dy shkollat e veta letrare dhe për Korçën me kujdesin për publiken dhe atmosferën estetizante.
Sipas autorit të librit Stefan Çapaliku, Shkodra dhe Korça janë dy vende, njëri në veriperëndim dhe tjetri në juglindje të Shqipërisë, që i bën dhe i ka bërë bashkë aftësia e krijimit të një klime të tillë, duke i lejuar banorët e vet të jenë si “shoqërisht heterogjenë” dhe të arrijnë ti homogjenizojnë kulturalisht këto dy qytete.
Ndoshta këtu duhet kërkuar dhe arsyeja sepse Shkodra dhe Korça kanë arritur të kenë një alkimi të pashoqe e të pakrahasueshme midis vetes. Ato ia kanë dalë të komunikojnë kaq shumë me njëra-tjetrën edhe në kohën kur komunikimi ishte aq i vështirë.
Shkrimtari Stefan Çapaliku shprehet se ky libër thellësisht modest, nuk u shkrua as për shkodranët, as për korçarët, por edhe për ta. Në të vërtetë ai i kushtohet të gjithë atyre që me dashje apo pa dashje po promovojnë humbjen e kujtesës dhe me mendjelehtësi kujtojnë se gjithça nis prej tyre.
I ndarë në disa pjesë ky libër sjell si rrallë herë qytetërimin, kulturën, antropologjinë sociale dhe sociologjinë urbane të këtyre dy qyteteve të Shqipërisë të cilat edhe pse janë të largëta nga pozita gjeografike, janë kaq të afërta me shpirt, apo siç i përshkuan dhe vetë autori Çapaliku, meridiane dhe paralele.
