Çmimi i Madh i Bahrejnit ka ngritur pasditen e së dielës siparin e sezonit të ri të Formula 1, i cili startoi me një dominim nga Max Verstappen dhe Red Bull.
Holandezi konfirmoi dhe një herë që është ai piloti për t’u mundur këtë sezon, duke marrë pikët e plota nga kjo garë.
Në vend të dytë u ngjit shoku i tij i skuadrës, Sergio Perez, i cili po ashtu dhuroi një paraqitje fantastike. Maja e “ajsbergut” në këtë garë ishte performanca fantastike e spanjollit Fernando Alonso i cili duket se po i del për “mbarë” lëvizja tek Aston Martin pasi makina duket shumë kompetitive
Sa i përket Ferrarit, skuadra italiane mund të gëzohet vetëm me vendin e katërt të arritur nga Carlos Sainz, ndërsa Charles Leclerc e mbylli garën me probleme në motor duke mos e çuar deri në fund. Mercedes duket se edhe këtë fillim sezoni e ndjek i njëjti problem, shpejtësia në vijën e drejtë dhe Lewis Hamilton nuk shkoi dot më shumë se vendi i pestë.