Rikthehen reshjet e dëborës në zonat malore të juglindjes së vendit. Burime nga Prefektura e Korçës bëjnë me dije se reshjet më të dendura kanë qenë në lartësinë mbi 1100 metra, përfshi këtu edhe fshatrat turistike të Dardhës, Voskopojës dhe Vithkuqit.
Të njëjtat burime thanë se gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm është punuar për pastrimin dhe kriposjen e rrugëve të këtyre fshatrave për të mos krijuar probleme në qarkullimin e mjeteve pasi në fundjavë drejt Dardhës dhe Voskopojës ka turistë të shumtë vendas.
Policia rrugore ju kërkon drejtuesve të mjeteve që lëvizin në fshatrat turistikë të përdorin goma dimërore pasi në segmente të caktuara ka prani bore në rrugë.
Me probleme paraqiten akset Vithkuq-Shtyllë- Panarit si dhe Voskopojë-Lekas në Bashkinë e Korçës. Nga ana e Ndërmarrjes së shërbimeve publike të kësaj bashkie po punohet për normalizimin e lëvizjeve në keto rrugë rurale, përfshi dhe atë të Mashkullorës ku trashësia e dëborës vende vende ka shkuar deri në 20 cm, ndërkohë që në Dardhë, Voskopojë e Vithkuq trashësia e borës ka shkuar deri në 5 cm.
Fadromat po punojnë për hapjen e rrugëve edhe në fshatrat e Devollit të Sipërm. Zyrtarisht nuk raportohen probleme me energjinë elektrike në të gjithë juglindjen.

