12.5 C
Tirana
23 / 01 / 2026

Pogradeci dënohet pas barazimit me Elbasanin/ Komisioni i disiplinës, pezullime për lojtarë dhe zyrtarë të klubit

Komisioni i Etikës dhe Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit ka shqyrtuar ngjarjet e kësaj jave në futbollin shqiptar, teksa ditën e djeshme ka dhënë vendime për ngjarje të ndryshme që kanë ndodhur në vendin tonë.

Janë dënuar 5 lojtarë të Pogradecit, dy prej të cilëve u ndëshkuan me karton të kuq në ndeshjen me Elbasanin në Kategorinë e Dytë.

Më konkretisht lojtari Alfred Zefi, është dënuar me 10 ndeshje pezullim nga aktiviteti, për sjellje josportive ndaj zyrtarit të ndeshjes. Me të njëjtin arsyetim është dënuar me 6 ndeshje pezullim Olger Hyzellari dhe Andi Çela është pezulluar me 4 ndeshje.

Gjithashtu edhe lojtarët Guedes Da Costa dhe Jurges Beqiri, janë dënuar i pari me 5 ndeshje pezullim nga aktiviteti dhe i dyti me 3 ndjeshje, për sulm ndaj kundërshtarit.

Ndërkohë dy zyrtarët e Klubit Sportiv Pogradeci, drejtori teknik Nesti Binishi dhe sekretari i klubit Kopi Çerepi janë dënuar me 2 ndeshje pezullim nga aktiviteti, për protestë ndaj vendimeve të zyrtarit të ndeshjes.

Një dënim i rëndë ky për Pogradecin që këtë sezon ka si objektiv kryesor kalimin në Kategorinë Parë. Pas 13 javësh liqenorët kryesojnë kampionatin me 33 pikë po aq sa ka edhe Elbasani i vendit të dytë.

Të dielën pogradecarët do të luajnë në shtëpi përballë Maliqit, ndeshje kjo që do të shoqërohet me dilema në formacion për trajnerin Samuel Nikaj, për shkak të shumë mungesave si rezultat i pezullimeve.

Pezullime këto të mbartura pas momenteve të dhunës të shfaqura në ndeshjen e barazuar me rezultatin 1-1 ndaj Elbasanit javën e kaluar.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x