Të besuarat e trajnerit Orlando Koja kanë arritur të fitojnë me rezultatin 3 me 2 ndaj ekipit të Skënderaj në një ndeshje mjaft të fortë dhe plot emocione. Pas 5 seteve me rivalitet nga të dyja ekipet, vajzat korçare janë shpallur kampione dhe kanë arritur të ngrenë lart trofeun e Ligës “Gjergj Kastrioti”.
Ishte një përballje që dhuroi spektakël, me garë të fortë dhe luftë për çdo pikë, siç nënvizohet edhe nga rezultati i ngushtë në fund 2-3 (25-22, 24-26 25-21, 21-25, 9-15).
Ishin vajzat nga Skënderaj ato që patën avantazhin pas një paraqitje dinjitoze në setin e parë, por rivali nga Shqipëria punoi fuqishëm për të mos lejuar disfatë në setin e dytë, duke e fituar atë me vetëm dy pikë diferencë.
Skuadra e trajnerit Ylli Kadriu u rikonsolidua duke fituar setin e tretë, por ishte e pafuqishme t’i bënte rezistencë “ndezjes” së Skënderbeut në dy setet e fundit, të cilët ishin deciziv për ekipin nga Shqipëria për ta ngritur trofeun në fund.
Nga afër këtë ndeshje e ndoqi kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i cili pranoi një fanellë me numrin 15 të Kosovës nga presidenti i Federatës së Volejbollit të Kosovës, Bahri Gjinovci, si dhuratë për 15 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Presidenti i FSHV-së, Erlind Pëllumbi është shprehur se pas organizimit të një lige të tillë mbarëkombëtare Federata Shqiptare e Volejbollit dhe ajo e Kosovës janë të gatshme të organizojnë një kampionat të përbashkët volejbolli për femra dhe meshkuj.
Ndërkohë lojtarja më e mirë e finales është shpallur volejbollistja amerikane e Skënderbeut Kayla Desiree Williams.
Ky është viti i dytë rradhazi i organizimit të këtij aktiviteti vllazëror midis ekipeve të Shqipërisë dhe ekipeve të Kosovës.