19.5 C
Tirana
23 / 10 / 2025

Zv/kryeministri i Kosovës në Parlamentin Evropian: Jo autonomi për Asociacionin!

Zv/kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka folur sot në Komitetin për Politikë të Jashtme në Parlamentin Evropian. Ai është pyetur nga eurodeputetët edhe për Asociacionin e Komunave serbe.  Ai ka thënë se marrëveshja e Brukselit e kërkon një mekanizëm që funksionon si institucion joqeveritar, e jo si autonomi për serbët.

“Marrëveshjet e kaluara që kanë të bëjnë me Brukselin si dhe plani i Ahtisaarit, nuk bëjnë thirrje për autonomi. Marrëveshjet e kërkojnë një mekanizëm që do të kërkoj koordinimin e komunave me shumicë serbe në formën e Asociacioni. Një institucion joqeveritar, e jo si autonomi territoriale në asnjë pjesë të vendeve, qoftë komunat në veri apo jug. Rreth 60% e pakicave jetojnë në komunat e jugut të Kosovës. Pjesa tjetër jeton në katër komunat në veri”, tha Bislimi në Bruksel, transmeton Nacionale.

Bislimi ka përsëritur qëndrimin për shuarjen e strukturave paralele në pjesën veriore.

“Nëse Serbia thotë se nuk do ta bllokojë rrugën e Kosovës në arenën ndërkombëtare, pse shtetet mos-njohëse do ta bënin këtë. Ne llogarisim dhe na nevojitet mbështetja e parlamentarëve të BE-së”, deklaroi Bislimi.

Më tutje, ai tha se Kosova ka bërë përparim të konsiderueshëm dhe ka bërë përpjekje për të treguar se është partnere e besueshme.

“Të dashur deputetë, vendi im ka bërë përparim të konsiderueshëm viteve të fundit, por ne duhet të jemi të papërkulshëm në përpjekjet tona për të dëshmuar se jemi partner i besueshëm dhe plotësisht i përkushtuar ndaj vlerave dhe parimeve të përbashkëta të BE-së. Ne e kemi shfaqur vullnetin tonë për t’u ballafaquar me rrugën e vështirë të reformave substanciale dhe zotimin tonë të vazhdueshëm për t’i promovuar demokracinë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit”- tha zëvendëskryeministri Bislimi.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x