Këtë të hënë (27 shkurt) do të mbahet mbledhja e përbashkët mes qeverisë shqiptare dhe asaj të Malit të Zi, ku do të nënshkruhen 11 marrëveshje mes dy vendeve.
Këshilltarja e kryeministrit Oderta Barbullushi zbuloi disa prej marrëveshjeve që do të nënshkruhen, të cilat do të jenë në fushën e energjisë, infrastrukturës, ekonomisë e rinisë.
Barbullushi tha se një ndër marrëveshjet më të rëndësishme do të jetë ajo për sigurimet shoqërore, njohja e pensioneve mes dy vendeve.
Një vëmendje të madhe do të marrë edhe projekti për ndërtimin e urës mbi lumin Bunë, që dy qeveritë do të nënshkruajnë një marrëveshje. Projekti që do të nënshkruhet për ndërtimin e urës pritet që ta kthejë këtë në një zonë të përbashkët turistike, pasi do të lidhë Velipojën me pjesën tjetër të bregut në Malin e Zi.
Në mbledhjen e qeverisë do të nënshkruhet edhe marrëveshja që do t’i hapë rrugë ndërtimit të pikës së re kufitare mes Shqipërisë dhe Malit të Zi. Kjo pikë kufitare do të hapet pranë Ulqinit dhe Velipojës, në zonën midis Sveti Nikola (Mal i Zi) dhe Pulaj (Shqipëri) dhe do të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve mes dy vendeve.
“Nënvizon bashkëpunim e thelluar mes dy vendeve dhe është në vazhdim të kuadrit për bashkim e vendosur më mbledhjen e parë të përbashkët në vitin 2018. Ne vendosim edhe shtyllat e bashkëpunimit, në fushën ekonomike, infrastrukturën, energjinë, ndërlidhjen më të mirë të vendeve tona, marrëveshjet që do nënvizojmë të hënën janë për këto fusha.