Superliga e volejbollit të femrave ka kompletuar të shtunën takimet e javës së tetë. Kryendeshja e javës ishte sfida e zhvilluar në sallën “Farie Hoti” ndërmjet Tiranës dhe Skënderbeut.
Ashtu sikurse pritej, vajzat bardheblu dhe korçaret dhuruan një betejë të fortë në parket, por në fund ato që festuan ishin kryeqytetaset. Kështu skuadra e drejtuar nga trajnerja Amarilda Prenga triumfoi me rezultatin 3-2 në një sfidë që zgjati 2 orë e 10 minuta.
Përballja rezultoi me shumë rivalitet, duke sjellë emocione tek të pranishmit në sallë, ndërsa për t’u veçuar ishte edhe një grupim i organizuar prej disa dhjetëra tifozësh të Tiranës, të cilët krijuan atmosferë të ndezur gjatë të gjithë ndeshjes.
Tirana e nisi mjaft mirë lojën, duke e konkretizuar me fitimin e setit të parë 25-19. Seti i dytë i ndeshjes ishte më i rivalizuar, ndërsa për t’u veçuar ishte dhe ndëshkimi me karton të verdhë i ndihmëstrajnerit të Skënderbeut, Erjos Haxhillari, për protesta ndaj gjyqtarit. Ky set u vendos pas pikëve shtesë, 26-24 në favor të Tiranës, që mori kryesimin 2-0 me sete.
Kur dukej se do të shkonim drejt një suksesi të pastër të vajzave bardheblu, miket nga Korça zgjohen dhe reagojnë mjaft mirë, duke i fituar bindshëm dy setet e radhës, përkatësisht 15-25 dhe 20-25, për të vendosur baraspeshën 2-2.
Kështu gjithçka shkon me set final, por edhe një herë është Tirana ajo që e merr kontrollin e lojës. Vendaset shfaqen dominuese që nga fillimi, duke u shkëputur menjëherë në pikë në shifrat 6-1, për të vijuar më pas në 8-2, 10-2, dhe për ta vulosur setin 15-7 dhe të gjithë ndeshjen me rezultatin 3-2.
