Skënderbeu fiton në Korçë me Dritën e Kosovës me rezultatin 3-1 përballjen e fundit në grup në Ligën “Gjergj Kastrioti” në volejboll për femra.
Ndeshja ka pasur histori vetëm në setin e parë, kjo edhe për meritë të vajzave kosovare që ja kanë dalë të fitojnë me rezultatin 16-25. Në këtë set lojtaret e Dritës kanë qënë më mirë të organizuara në të dy fazat e lojës.
Më pas gjithçka ka folur për Skënderbeun që ka fituar setin e dytë 25-20, të tretin me rezultati 25-17, setin e katërt 25-15 dhe krejt ndeshjen me rezultatin 3-1.
Në përballjen me Dritën trajneri Orlando Koja nuk ka pasur në përbërje të skuadrës dy titullare, përfshi këtu edhe kapitenen Elena Bego. Mungesa të cilat janë ndjerë jo pak, sidomos në setin e parë.
Në mungesë të dy lojtareve kryesore, Koja ka qënë i detyruar të eksperimentojë jo vetëm me grupin e lojtareve por edhe me mënyrën e të luajturit.
Duhet thënë se amerikanja Xhesika Hejni, pas setit të parë ka qënë në pjesën më të madhe të lojës, lojtare përcaktuese sepse në pozicionin katër ka rezultuar shumë e suksesshme.
Gjithashtu në tre setet e fituara rradhazi, Skënderbeu ka qënë i saktë në bllok, në pritjen e topit të parë, e mbi të gjitha në shërbim, aty ku amerikanja Hejni në setin e tretë e të katërt ka sjellë dhe kthesën e pikëve në favor të korçareve.
Ndeshja me Dritën ka qënë e fundit e takimeve në grupe dhe Skënderbeu duke u renditur i pari do të luajë me Partizanin që ka zënë vendin e dytë në grupin tjetër. Në fazën e Play Off-it skuadra që kalon në finale duhet të fitojë dy ndeshje.
Në qoftë se Skënderbeu dhe Partizani por dhe dy skuadrat e tjera kanë ndeshje të bazaruara pas dy takimeve të para, për të përcaktuar ekipin finalist, duhet edhe një ndeshje e tretë.