Siç është bërë tashmë traditë në prag Krishtlindjeje këngëtarja Vikena Kamenica ka ardhur me një koncert në skenën e teatrit “Andon Zako Çajupi” të Korçës, kësaj here e shoqëruar nga banda Just Trio.
Këngëtarja Kamenica është shprehur e lumtur që është rikthyer me këtë koncert në qytetin e saj të lindjes, pas mungesës gjatë viteve të pandemisë, duke sjellë edhe një risi për publikun korçar me ngjitjen në skenë të dy këngëtarëve të rinj të talentuar si Martin Pano dhe Jasmina Dervishi.
Për këngëtarët Pano e Dervishi ka qënë nder të interpretonin në skenën e teatrit të Korçës me këngëtaren e mirënjohur Vikena Kamenica. Ata kanë vlerësuar edhe mikpritjen e publikut korçar.
“Gëzuar” me Vikena Kamenica është një aktivitet i kthyer tashmë traditë për këngëtaren si një kartolinë urimi për qytetin e saj të lindjes dhe vinte në këtë fundjavë si pjesë e programit artistik e kulturor të bashkisë Korçë për festat e fundvitit.