Nga Genci Gjikaj
Superylli Lionel Messi ngre më në fund pas 36 vitesh mungesë për Argjentinën trofeun 18 karatësh i stilizuar që prej vitit 1971 nga skulptori i madh italian Silvio Gazzaniga, Kupën e Botës!
Messi më në fund është mes legjendave të futbollit botëror i insipiruar nga Ai që është tanimë në qiell, Diego i Madh!
Gjithsesi ky Botëror do të ngelet në histori më shumë për enigmat e tij sesa për lojën e zhvilluar.
Le ti marrim gjërat me radhë:
Për herë të parë në histori një Botëror organizohet në një vend dhe në një kohë të pazakontë me rregulla të pazakonta!
Italia, 4 herë kampione bote nuk mundi të marri pjesë në këtë turne pasi nuk mundi të kualifikohej.
Gjermania e Flick u duk se kishte udhëtuar drejt Katarit më e motivuar për të dhënë mesazhe politike sesa mesazhe sportive.
“Seleçao” pasi vallëzon me spektakël në fazat e para te turneut “thyhet” si një enë qelqi e brishtë përballë kroatëve.
Lotët e Neymar u fiksuan në sytë e të gjithë botës dhe sërish pas 20 viteve Brazili nuk mundi ta fitonte Kupën e Botës.
“Its coming home…” nuk u realizua për “3 Luanët” pasi humbën përballë Francës dhe në vend të trofeut u kthyen ata në shtëpi.
C Ronaldo arrin pikën më të ulët të karrierës së tij në ndryshim total nga Messi që arrin kulmin duke u shpallur kampion bote.
Për “La Furia Roja” po lind një brezi i ri virtuozësh që ndoshta mund të zëvendësojnë Xavi ,Iniestën, Busquet etj por duhet mos luajnë më “pisët” në ndeshje botërori.
Legjenda e stolit Van Gaal dhe “tulipanët” e tij largohen kokëlartë nga turneu por largohen.
“Gjenerata e artë” e “Djajve të Kuq” të Evropës besoj nuk do të ekzistojë më pas këtij Botërori.
Katar 2022 mund të konsiderohet dhe si Botërori i lamtumirave, lojtarë si Messi( pavarësisht se ai ka thënë që do të vazhdoj të luaj me Argjentinën), C Ronaldo, Pepe, Giraud, Busquets, Modriç, legjenda Ochoa ndoshta dhe Neuer nuk besoj se do i shohim më në Kupën e Botës së ardhshme.
Katar 2022 do të mbahet mend dhe si Botërori i thyerjes së rekordeve, Messi thyen rekordin e Mateus për numrin e ndeshjeve të luajtura në Botërorë.
Katar 2022 do të mbahet mend dhe për faktin se për herë të parë në histori në foton zyrtare të ngritjes së trofeut kapiteni i skuadrës dhe pikërisht Messi kishte veshje tjetër nga shokët e tij të skuadrës (pak sekonda para se Messi të ngrinte lart trofeun, presidenti i FIFAS Infantino dhe Emiri i Katarit i veshën atij një tunikë tradicionale, në gjuhën vendase quhet “bisht”)!
Katar 2022 do mbahet mend si turneu që ndërtoi stadium me kontenierë dhe pas Botërorit përfshirë dhe impjantin ku u luajt finalja disa nuk do ekzistojnë më dhe disa të tjerë do tjetërsohen. Psh stadiumi Lusail rreth 80 e ca mijë vendësh ku u luajt finalja do të ketë në të ardhmen vetëm 20 mijë vende të ulura dhe aty do të ndërtohen restorante, qendra argëtimi etj sepse fundja për çfarë do i donte keto stadiume një shtet që futbollin e ka një sport aspak të zhvilluar, por nesër kur të kthehen fituesit për të parë vendin ku fituan dhe u kurorëzuan nuk do ti gjejnë më ato stadiume.
Katar 2022 do të mbahet mend për blloqe fansash që mbushnin stadiumet pa qenë tifozë me asnjë nga ekipet që luanin në fushë ku binin në sy emigrantët libanezë dhe palestinezë me flamujt e tyre, emigrantë këta të ardhur aty nga shkaku i krizave politike të viteve 1948 dhe 1967.
Katar 2022 do të mbahet mend për shtesat e stërgjatura dhe për pozicionet jashtë loje milimetrikë (hunda apo këpuca e lojtarit por dhe një top jashtë fushe kur vetëm 1mm e sferës ishte brenda saj). Gjithsesi e çuditshme ishte që sistemi VAR i cili bëri namin gjatë gjithë ndeshjeve të Botërorit në ndeshjen finale nuk u përdor asnjëherë.
Futbolli është sport njerëzor ku luhet me shpirt, pasion, ndjenjë, patriotizëm, grintë dhe kur e vendos brenda këtyre rregullave “të hekurta” ai humb origjinalitetin e tij.
Presidenti i Fifas ishte i pranishëm në çdo ndeshje të Botërorit, gjë e rallë për një Botëror.
Finalja e Botërori ishte caktuar të zhvillohej në Ditën Ndërkombëtare të Emigracionit.
Gjithsesi Mbreti Messi triumfoi mbi Princin Mbappe i cili duhet të presë të shkruajë historinë e tij.
Për mënyrën sesi u zhvillua kjo Kupë Bote Argjentina e meritoi pasi u tregua më e etur për t’u shpallur kampione bote, kishte një lider si Messi të cilit i mungonte vetëm ky trofe dhe mbi të gjitha ka një popull që e do aq shumë futbollin!
Ky popull ka nxjerrë nga gjiri i tij aq e aq talente dhe lojtarë fenomenalë por mbi të gjithë 2 MAGJISTARËT e këtij sporti, Maradonën dhe Messin, “prekja magjike” e të cilëve besoj është dhuratë e vetë Zotit.
“MESSIA” I FUTBOLLIT MË NË FUND PËRMBUSHI MISIONIN NË TOKË QË I LA PËR DETYRË “ZOTI” I FUTBOLLIT QË E SHEH ATË NGA LART!
- “Vallëzim me hënën” i shkrimtarit Namik Dokle prezantohet në tre qytete të Spanjës (Madrid, Cadiz dhe Benalmádena) - 09/06/2025
- Gjermania do të ndryshojë rregullat për shtetësi dhe bashkime familjare! Preken edhe shqiptarët - 28/05/2025
- Problemet me energjinë prekin Kanën, jugu i Francës në kaos dhe në errësirë totale - 24/05/2025