Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka akuzuar Goran Rakiç nga Lista Serbe se në bashkëpunim me bandat kriminale e të armatosura po mbajnë barrikadat që kanë bllokuar qytetarët dhe pjesëtarët e policisë së Kosovës prej 11 ditësh.
Në një postim në Facebook, Sveçla ka thënë se e vetmja gjuhë që “ata njohin dhe trumbetojnë janë vrasjet ndërsa e vetmja gjuhë që ne njohim është stabiliteti, rendi dhe ligji, ndaj të gjithëve dhe pa dallim”.
“Ne jemi duke bërë përpjekje maksimale me partnerët tanë për heqjen e barrikadave pa asnjë eskalim të mundshëm në ndërkohë këta po i armatosin bandat brenda barrikadave. Nuk kanë mbështetje nga qytetarët serbë në aktet e tyre kriminale prandaj tentojnë t’i frikësojnë me trillime për vrasje e për lista të paqena”, ka shkruar Sveçla.