Korça është qarku me më pak problematika lidhur me ndërtimet informale dhe pushtimin e tokës. Burime pranë drejtorisë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës bëjnë me dije se procesi i legalizimit të objekteve informale në qarkun e Korçës po ecën me ritme të mira dhe është drejt përmbylljes.
Rodiona Kame juriste pranë kësaj drejtorie thotë se pjesa më e madhe e dosjeve vetdeklaruese tashmë janë finalizuar. Sipas saj procesi i legalizimeve ka përfunduar në rreth 80% të territorit në bashkinë e Maliqit, teksa puna vijon edhe në bashkinë e Korçës.
Kame shton më tej se puna në bashkinë e Korçës do të vijojë për shkak edhe të specifikave, pasi përveç ndërtimeve të reja, në qytet ka edhe ndërtesa që janë ndërtuar para viteve 91’ dhe poseduesit e tyre nuk janë të pajisur me tituj pronësie dhe për këtë kategori ka patur mjaft aplikime të cilat janë duke u shqyrtuar nga specialistët e sektorit të legalizimeve.