Festat Kombëtare të Shqipërisë dhe të Rumanisë po afrojnë. Më 28 Nëntor dhe më 1 Dhjetor shqiptarët dhe rumunët nderojnë përpjekjet dhe sakrificën për sovranitet dhe liri. Një urë e rëndësishme lidhëse midis dy popujve janë arumunët.
Me këtë rast Fondacioni “Harriet Martineau” ka organizuar aktivitetin muzikor “Miqësia historike midis dy kulturave Shqipëri-Rumani”. Koncerti është mbajtur në skenën e teatrit “Andon Zako Çajupi” të Korçës mbrëmjen e kësaj të mërkure, ku ka interpretuar Orkestra Sinfonike e Universitetit të Arteve.
Drejtori Artistik i këtij aktiviteti Prof. Dr. Isak Shehu është shprehur se në program janë përzgjedhur vepra nga kompozitorë të njohur rumunë e shqiptarë.
Edhe për interpretuesit e këtij koncerti, mes dy kulturave ka shumë elementë të përbashkët. Ata vlerësojnë publikun korçar për mikpritjen.
Ky projekt realizohet me mbështetjen e Departamentit për Rumunët e Kudondodhur. Koncerti është mbajtur fillimisht në qytetin e Vlorës, u ndal këtë të mërkurë në Korçë dhe do të zhvillohet edhe në Tiranë.





