Deputeti Luçiano Boçi është emri më i ri i propozuar nga baza për të marrë pjesë në primaret e Partisë Demokratike për Elbasanin, nga ku do të dalë zyrtarisht edhe kandidati për kryetari bashkie i opozitës.
Burime për Euronews Albania bëjnë me dije se emri i Luçiano Boçit, i cili mban edhe postin e nënkryetarit të partisë është propozuar nga strukturat e PD-së së Elbasanit,
Boçi është një ndër deputetët më të votuar në zgjedhjet e 25 prillit, i cili arriti të thyente herësin e të klasifikohej në listën fituese.
Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale në PD vendosi shtyrjen e afatit për vetëkandidim dhe kandidim për primare në të gjitha degët e PD, deri në 12 nëntor 2022.
Vendimi ka ardhur pas kërkesës nga degët e PD për shkak të kohës së pamjaftueshme për organizimin e mbledhjeve në çdo nivel organizativ dhe marrjen e propozimeve apo vetë-propozimeve nga struktura partiake në territorin që ata mbulojnë.
Nga ky vendim përjashtohen 16 degët e Bashkisë Tiranë.