“Nuk duhet të kemi një tjetër luftë në tokën europiane”. Ishte ky mesazhi i përçuar nga përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian për politikë të jashtme, Josep Borrell, dhe ndërmjetësuesi Miroslav Lajçak, udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë. Gjatë takimeve të ndara me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin Aleksandër Vuçiç në Paris, ata ofruan recetën për tejkalimin e tensioneve të fundit, të bazuar në respektimin e marrëveshjeve të firmosura në kuadër të dialogut.
“Serbët e Kosovës duhet të kthehen menjëherë në institucionet e Kosovës dhe të rifillojnë detyrat e tyre, dhe Kosova duhet t’i harmonizojë veprimet e saj për targat me marrëveshjet e kaluara të Dialogut dhe të nisë negociatat për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe pa vonesa të mëtejshme.”