Vendet anëtare të BE-së janë përafruar me qëndrime rreth liberalizimit të vizave për Kosovën sipas Radio Evropës së Lirë në një prej lajmeve më të rëndësishme sa i përket këtij procesi gjatë këtij viti.
Në takimin që është mbajtur sot të grupit punues, Evropa e Lirë mëson se vendimi pritet të merret së shpejti, kurse hyrja në fuqi e vendimit pritet në nëntor të vitit 2023.
Siç mëson gazeta në fjalë nga burimet diplomatike ky ka qenë kompromisi mes kërkesës së Francës për kushtëzimin e hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave me nisjen e zbatimit të ETIAS-it, dhe kundërshtimit të shumë vendeve tjera që kjo të mos lidhet. Në fund është përmendur edhe ETIAS-i, por edhe data.
“Shtetet që e kanë kundërshtuar lidhjen me ETIAS, e kanë argumentuar këtë me faktin se ai sistem mund të mos jetë gati as më 1 nëntorë të vitit 2023, dhe kjo do ta shtynte përsëri hyrjen në fuqi të liberalizimit të vizave për Kosovën. Prandaj, sipas interpretimit të disa diplomatëve, formulimi i ri do të lërë hapësirë që liberalizimi të hyjë në fuqi edhe në rast se do të shtyhet përsëri zbatimi i sistemit ETIAS,” – thuhet në raportimin në fjalë.
“Presidenca çeke e Bashkimit Evropian tash duhet të përgatis një draft të ri të propozimit, i cili do të futet në procedurën e heshtur në Këshill në nivelin e grupit punues. Nëse asnjë shtet nuk e kundërshton tekstin e ri deri në një afat të caktuar, me gjasë deri në mesin e javës që vjen, atëherë kjo dosje do të bartet për vendim tek ambasadorët e vendeve anëtare në Këshill, trupin e njohur si Coreper”, thuhet në raportin e REL.
Diskutimi i së enjtes në grupin punues ishte i dyti me radhë për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Diskutimi i parë ishte zhvilluar më 13 tetor dhe atëherë shumica e madhe e vendeve e kishin mbështetur liberalizimin e vizave, asnjë nuk ishte shprehur kundër, por Franca kishte kërkuar që hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave të lidhet me hyrjen në fuqi të sistemit ETIAS.
Franca kishte kërkuar që liberalizimi i vizave për Kosovën, të kushtëzohet me hyrjen në fuqi të Sistemit ETIAS.
Megjithatë, duket se shtetet kanë arritur në një kompromis. Pas frikës së disa shteteve se ETIAS mund të mos hyjë në fuqi as në nëntor 2023, atëherë shtetet kanë rënë dakord që të përcaktohet afati i saktë kur kosovarët do të mund të lëviznin lirshëm.
Çka është ETIAS-i?
ETIAS, sipas uebfaqes zyrtare të saj, është një sistem i informacionit dhe autorizimit të udhëtimit në Bashkimin Evropian.
Ky program është themeluar nga BE për të “mbrojtur dhe përforcuar kufijtë e saj”, me synim për të identifikuar kërcënimet e mundshme që lidhen me vizitorët nga vendet që janë pjesë e hapësirës Schengen.