Ulëset e lëna bosh pas dorëheqjes së deputetëve të Listës Serbe akoma nuk dihet nëse do të plotësohen.
Kjo pasi që është e paqartë nëse nëntë kandidatët nga lista e pritjes së këtij subjekti politik do të pranojnë mandatet e lëna në gjysmë nga bashkëpartiakët.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kohë edhe katër ditë që kandidatët Dragana Antonijeviq, Zoran Maksimoviq, Svetislav Jokiq, Ksenija Bozoviq, Rados Mihajloviq, Biljana Maksiq, Milan Joksimoviq, Nenad Radenkoviq dhe Olivera Zdravkoviq t’i rekomandojë te Presidentja.
Valdete Daka e cila ka udhëhequr KQZ-në, tregon se si duhet të veprohet nëse këta kandidatë vendosin mos t’i pranojnë mandatet.
“Nëse ata tri herë radhazi nuk shkojnë në seancë e humbin mandatin e deputetit përsëri, në të vërtetë e humbin të drejtën për të qenë deputet dhe pastaj shkon procedura e njëjtë përsëri kërkohet nga KQZ-ja që të bëhet rekomandimi nga subjektet e njëjta politike”, ka thënë Daka.
Mirëpo, Lista Serbe nuk ka kandidatë tjerë për t’u bërë deputetë.
Rrjedhimisht, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, rekomandohen kandidatë nga parti tjera serbe që kanë marrë pjesë në zgjedhje.
Në zgjedhjet e përgjithshme kanë kandiduar dy parti të tilla, SDS dhe GI SPO, të cilat së bashku kanë vetëm tetë kandidatë, dy më pak sesa ulëset e garantuara.