Presidenti rus Vladimir Putin ka nënshkruar një ligj që lejon mobilizimin e njerëzve që kanë kryer krime të rënda për të luftuar në Ukrainë. Ligji përjashton ata të dënuar për abuzim seksual të fëmijëve, tradhti, spiunazh ose terrorizëm, raporton RIA.
Ndërkohë kancelari gjerman Olaf Scholz i ka kërkuar presidentit Xi Jinping që të përdorë “influencën e tij mbi Rusinë” për t’i dhënë fund “luftës së agresionit” kundër Ukrainës.
“I thashë presidentit kinez se është e rëndësishme që Kina të përdorë ndikimin e saj mbi Rusinë”, tha Scholz.
Disa shpërthime kanë ndodhur në Mykloaiv, një qytet në jug të Ukrainës, ku u dëgjuan sirena kundërajrore. Katër milionë e gjysmë ukrainas kanë mbetur pa energji elektrike pas sulmeve të përsëritura të ushtrisë ruse në të gjithë territorin e pushtuar. Kështu ka thënë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në video-mesazhin e tij të natës. “Fakti i thjeshtë që Rusia po i drejtohet terrorizmit energjetik tregon dobësinë e armikut tonë”, tha Zelensky, ‘ata nuk mund ta mposhtin Ukrainën në fushën e betejës, kështu që ata përpiqen të thyejnë popullin tonë në këtë mënyrë.’
Ndërkohë, inspektorët e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike nuk kanë gjetur asnjë provë për “aktivitete bërthamore të padeklaruara” në tre termocentrale në Ukrainë. Ukraina u ka kërkuar inspektorëve që të vizitojnë termocentralet e saj bërthamore për të mohuar pretendimet e Rusisë se Kievi synon të përdorë një “bombë të pistë”.