Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje qytetarëve dhe forcave opozitare të bashkohen në mbështetje të protestës së studentëve, pavarësisht dallimeve dhe kundërshtive politike.
Gjatë fjalës së tij, Berisha e cilësoi protestën e studentëve si një betejë kundër asaj që ai e quajti të keqen më të madhe të vendit, duke iu referuar kryeministrit Edi Rama.
“Të bashkohemi pavarësisht nga kundërshtitë që mund të kemi njëri me tjetrin. Pavarësisht nga dallimet që mund të kemi njëri me tjetrin. Të bashkohemi me studentët, të cilët po zhvillojnë një betejë epike kundër të keqes më të madhe të këtij kombi, që e ka emrin Edi Rama”, deklaroi Berisha.
Ai garantoi se Partia Demokratike do të mbështesë plotësisht studentët dhe revoltën e tyre, ndërsa ftoi çdo qytetar të angazhohet në këtë lëvizje.
Kreu i PD-së kërkoi gjithashtu bashkimin e të gjithë faktorëve opozitarë, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm të lëvizjes kundër qeverisë.
Berisha tha se synimi duhet të jetë largimi i asaj që ai e quajti “regjimi i narkoshtetit” dhe krijimi i një qeverie teknike ose kujdestare, e cila sipas tij, do të përgatisë kuadrin ligjor dhe kushtet për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
“Bashkimi i të gjithë faktorëve opozitarë duhet të jetë kurora e kësaj lëvizjeje të madhe të paparë që po zhvillohet në Shqipëri. Për t’u ndarë nga regjimi i narkoshtetit, për të proceduar me një qeveri që përgatit teknike apo kujdestare, si të doni ta quajmë, që përgatit kuadrin ligjor dhe krijon të gjitha kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme”, u shpreh Berisha.
Përmes një deklarate, Berisha falënderoi mijëra studentë dhe qytetarë, të cilët sipas tij, hodhën në koshat e plehrave aktet e miratuara nga kryeministri Edi Rama, që synonin të ndalonin revoltën studentore.
“Do të përshëndes përzemërsisht dhe me mirënjohje të thellë ata mijëra e mijëra studentë dhe qytetarë që sot me guximin, trimërinë, vendosmërinë e tyre groposën në koshat e plehrave të Tiranës dekretet diktatoriale të padrinos, me të cilat ai synonte asgjësimin e revoltës studentore”, deklaroi Berisha.
Kreu i PD-së tha se kishte bindjen se studentët dhe qytetarët e Tiranës do t’u përgjigjeshin akteve të qeverisë duke i shpërfillur dhe hedhur në koshat e plehrave.
“Kisha bindjen më të madhe se qytetarët, se studentët dhe studentet, qytetarët e Tiranës do t’u jepnin përgjigjen më të merituar, shpërfilljen totale, hedhjen në kosh të plehrave akteve antikushtetuese, antiligjore, me të cilat Edi Rama mendonte se do mund të gjejë mburojë, mbrojtje, mendoi se do mund të ndalojë protestën”.
Berisha paralajmëroi gjithashtu se Partia Demokratike nuk do të respektojë asnjë akt që, sipas tij, bie në kundërshtim me Kushtetutën dhe kufizon liritë e garantuara prej saj dhe Kartës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
“Jam këtu për të deklaruar se asnjë akt ligjor që vjen në kundërshtim me Kushtetutën, asnjë kufizim i lirive të garantuara nga Kushtetuta dhe Karta Europiane e të Drejtave të Njeriut, asnjë formë gjendje e jashtëzakonshme nuk do të respektohet kurrë nga Partia Demokratike”, u shpreh ai.
- Goca dhe Gra/ “Socialist i vjetër, që fëmijë në FRESSH”, Braçe për kandidaturën e Arbër Hajdarit për Tiranën: Ka potencial, i hapur nëse ka garë brenda PS - 07/11/2026
- Sulmi me 6 viktima në Krakov/ Ministri I brendshëm: Autori kishte pikëpamje ultranacionaliste. Kryeministri Tusk: Në banesën e tij u gjetën 3 trupa - 07/11/2026
- Izraeli drejt ndryshimit të qeverisë/ Presidenti Herzog i beson Gadi Eisenkot formimin e kabinetit të ri, Netanyahu rrezikon të largohet nga pushteti - 07/11/2026