Nga ELSA SAKA*
Jemi mbledhur sot këtu të gjithë bashkë për të përkujtuar Mihal Gramenon, një nga figurat e shquara kombëtare shqiptare, me origjinë nga Korça, ky qytet i bukur dhe me tradita të lashta qytetare, patriotike dhe kulturore. Mihali ishte atdhetar, shkrimtar, gazetar dhe veprimtar i Rilindjes Kombëtare. Në një kohë që Shqipëria dhe gjuha shqipe kishin nevojë për më shumë libra, ai punoi për lirinë, përhapjen e gjuhës shqipe dhe bashkimin e shqiptarëve.
Në fondet e Arkivit Qendror Shtetëror, ruhen shumë dokumente me vlerë të pazëvendësueshme historike të prodhuara nga dora dhe mendja e Mihal Gramenos apo telegrame të drejtuara familjes së tij. Kështu përmendim një kopje të gazetës “Koha” ku riprodhohet një artikull i Gramenos me titull “Të mjerat kufi”; novela “Varr’i pagëzimit”, dorëshkrimi origjinal prej 10 fletësh i novelës “Saideja Engjëllore”, botimi i vitit 1905 i komedisë satirike “Mallkimi i gjuhës shqipe”, një letër e tij drejtuar figurave kyçe të kolonisë shqiptare në Sofje, Misto Korça (Kristo Karbunara) dhe Pandeli Evangjelit, letra dhe telegrame drejtuar personaliteteve shqiptare të kohës në të cilat trajtohej çështja kombëtare, telegrame të shumta ngushëllimi drejtuar familjes së tij pas ndarjes nga jeta, si për shembull nga Koço Kotta, kryepiskopi Visarion e të tjerë. Ndodhet gjithashtu dhe një autobiografi e Koço Gramenos e shkruar në fletore, me shkrim dore me laps, i cili flet për origjinën e familjes Grameno, si dhe një material i daktilografuar i shkruar nga Dhimitër Koço Grameno, gjithashtu kushtuar origjinës familjare, e cila përfshin dhe një pemë gjenealogjike familjare.
Për të ndriçuar sa më mirë figurën e Mihal Gramenos, është e rëndësishme që ne të vështrojmë përtej figurës së luftëtarit që mori pjesë aktive në përpjekjet e armatosura për lirinë e atdheut. Ne duhet të shohim njeriun i cili punoi me penë, me fjalë dhe me ide të qarta për një të ardhme më të mirë të vendit tonë. Veprimtaria e tij tregon se dashuria për atdheun mund të shprehet në shumë mënyra dhe se lufta nuk është qëllim në vetvete, por në rrethana të caktuara historike mund të shihet si një përpjekje për të fituar lirinë.
Vlera e tij qëndron pikërisht në këtë ndërthurje të guximit me mendimin, të veprimit me kulturën dhe të përkushtimit patriotik me përgjegjësinë njerëzore. Patrioti i shquar korçar punoi fort për një Shqipëri të lirë, por edhe për një shoqëri që të kishte gjuhën, arsimin dhe kulturën e saj. Përmes jetës dhe veprës së tij, mund të kuptojmë se qëllimi më i lartë i dashurisë për atdheun është krijimi i kushteve për një jetë me dinjitet, siguri dhe paqe.
Kur Shqipëria përballej me vështirësi të shumta, populli shqiptar kërkonte të drejta kombëtare, arsim dhe mundësinë që të vendoste vetë për të ardhmen e tij, si shumë patriotë të tjerë dhe Mihali u detyrua të merrte pjesë në përpjekje të vështira në dobi të çështjes kombëtare. Kështu, në vitet 1907-1908 ai iu bashkua çetës së Çerçiz Topullit, e cila vepronte në jug të Shqipërisë. Në këtë mënyrë, ai u bë pjesë e lëvizjes së armatosur për çlirim kombëtar. Jeta në çetë ishte e vështirë dhe e rrezikshme. Mbrojtja e gjuhës, e identitetit dhe e të drejtave kombëtare, gjatë kohës që jetoi Mihal Grameno, kërkonte përpjekje dhe sakrifica të mëdha. Luftëtarët përballeshin me përndjekje, mungesë ushqimi dhe pasiguri. Duke qenë personalisht në këto rrethana, Grameno e përjetoi nga afër realitetin e hidhur në të cilin jetonte populli ynë dhe këtë realitet ai më vonë do ta përshkruante në shkrimet e tij.
Por, sikurse e cekëm pak më lart, pjesëmarrja e tij në luftë nuk e eklipson aspak veprimtarinë e tij në fushën e kulturës dhe të përhapjes së dijeve. Grameno ishte shkrimtar dhe gazetar. Ai e përdori fjalën për të shprehur shqetësimet e popullit dhe në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve.
Nisur nga kjo, shërbimi ndaj atdheut, për të, nuk fillonte dhe nuk mbaronte vetëm në fushën e betejës, por vijonte nëpërmjet shkrimeve, përhapjes së dijes dhe përpjekjeve për zhvillimin e kulturës kombëtare.
Koncepti që kishte formuar Mihal Grameno ishte se liria nuk nënkuptonte vetëm largimin e sunduesit të huaj, por ajo lidhej ngushtë edhe me të drejtat e shqiptarëve për të përdorur gjuhën e tyre, të hapnin shkolla dhe të zhvillonin kulturën kombëtare. Kështu, ai mori pjesë në ngjarjen historike të Kongresit të Manastirit të vitit 1908, si përfaqësues i Klubit të Korçës, i njohur si klubi “Dituria”. Gjatë punimeve të këtij kongresi Grameno ishte një ndër delegatët më aktivë që diskutoi rreth njësimit të alfabetit të gjuhës shqipe. Natyrisht që puna e realizuar nga atdhetarët shqiptarë për alfabetin ishte pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për forcimin e vetëdijes se shqiptarët kishin gjuhë, kulturë dhe interesa të përbashkëta.
Një pjesë e rëndësishme e kontributit të Mihal Gramenos në favor të çështjes kombëtare u zhvillua përmes shtypit. Ai drejtoi disa gazeta si “Lidhja orthodhokse” e “Koha” dhe shkroi artikuj në të cilët trajtonte çështje kombëtare, tematika shoqërore dhe veprimtari politike, në dobi të interesave shqiptare. Qëllimi i shkrimeve të tij ishte të informonte lexuesit, të nxiste diskutimet dhe të përhapte idetë e lirisë e të përparimit. Ai arriti kështu të ndikonte në opinionin publik dhe të realizonte një forcim të lidhjeve ndërmjet shqiptarëve brenda dhe jashtë Shqipërisë. Mihal Grameno e shihte shtypin si mjet informimi, gjë të cilën ai e shfaqi në gazetën “Koha”, më 28 janar 1915, ku shprehej tekstualisht: “Shtypi është një armë e fuqishme… arrin atje ku pushka dhe topi s’arrin dhe s’qëllon dot”. Me këtë shprehje të tij arrijmë të kuptojmë rëndësinë që Grameno i jepte fjalës së shkruar dhe se idetë mund të përhapeshin përtej kufijve të vendit dhe se kjo mund të ndikonte në perceptimin e problemeve shoqërore nga njerëzit. Kështu mund të shprehemi qartë se nëpërmjet gazetarisë Grameno mbronte të drejtat kombëtare shqiptare pa u kufizuar vetëm te përballja e armatosur. Kontribut ky që na mundëson të kuptojmë se për të fjala dhe mendimi kishin rol mjaft të rëndësishëm në jetën publike.
Nuk mund të lëmë pa përmendur as krijimtarinë e tij letrare. Tematika kryesore e poezive, dramave dhe novelave të tij ishin çështje që lidheshin me jetën shqiptare, gjuhën dhe problemet shoqërore të kohës që shqetësonin seriozisht jetën e përditshme të banorëve, si dhe ndihmonin në përhapjen e ndjenjës kombëtare.
Ndër veprat e tij mund të përmendim komedinë “Mallkimi i gjuhës shqipe”, dramën historike “Vdekja e Pirros”, prozat “Oxhaku”, “E puthura”, “Varri i pagëzimit” etj. Në krijimtarinë e tij ai pasqyroi interesimin për fatin e kombit dhe nevojën e shqiptarëve për të njohur historinë, të ruanin gjuhën dhe të zhvillonin kulturën. Pra, në veprat e tij artistike, gjejmë të mishëruara shqetësimet e kohës dhe përcillnin të lexuesi një nevojë për reflektim ndaj të ardhmes së vendit.
Duke e kujtuar Mihal Gramenon, ne nuk nderojmë vetëm një luftëtar të lirisë, por edhe një njeri që punoi e veproi për një Shqipëri identitare me gjuhën, kulturën dhe zërin e saj. Dhe pikërisht këtu qëndron një nga mësimet më të rëndësishme të jetës së tij: liria fiton kuptimin e saj të plotë kur u shërben njerëzve dhe u krijon mundësinë të jetojnë me dinjitet.
*Pjesë nga kumtesa në aktivitetin kushtuar Mihal Gramenos, organizuar në bashkëpunim me Bibliotekën “Thimi Mitko” dhe Bashkinë Korçë. Kumtesa u mbështet në dokumentet e fondit personal të tij që ruhen në Arkivin Qendror Shtetëror.
Galeri fotografike:




- Mihal Grameno, një jetë në shërbim të atdheut/ Liria fiton kuptimin e saj të plotë kur u shërben njerëzve dhe u krijon mundësinë të jetojnë me dinjitet - 31/10/2026
- Poeti Alfons Zeneli përkthehet në gjuhën greke - 31/10/2026
- Edi Rama duhet ta trajtojë Veliajn si kundërshtar politik, jo si një kalama që duhet edukuar - 30/10/2026