Nga Altin Ketro
Këto ditë tetori, kur fjalët student dhe pedagog janë bërë etalon i debateve politike, m’u kujtua një bisedë me një mikun tim, djali i të cilit këtë vit kishte braktisur studimet në një fakultet publik për të shkuar në një universitet privat. Ndonëse atje do të kishte kosto më të larta financiare, por që sipas tij, ia vlente barra qiranë.
Arsyeja që i biri kishte braktisur arsimin publik nuk kishte të bënte fare me infrastrukturën, por me faktin që gjatë vitit të kaluar nuk po bënte rregullisht mësim. Kishte pedagogë që njoftonin studentët në WhatsApp se nuk do të paraqiteshin në mësim për shkak të motit të keq, të kamufluar bukur me shprehjen “për arsye atmosferike”. Një tjetër u caktonte studentëve ditën e provimit dhe po atë ditë u thoshte se “provimin do ta bëjmë nesër”, për të ndërruar mendje aty për aty: “Jo, jo, as nesër, do t’ju njoftoj unë për datën”.
Tani, imagjino një student që është përgatitur seriozisht për provim, çfarë ndjen ai në ato çaste. Më së paku një goditje morale, për të mos shkuar te diagnozat psikologjike. Ai ka investuar kohë, mund dhe energji për t’u përgatitur, ndërsa në këmbim merr ndryshime datash sipas tekave të pedagogut.
Miku im më tregonte plot raste të tilla që i kishin ndodhur të birit. Nuk po e them se cili fakultet është sepse besoj se një fenomen i tillë mund të ndeshet edhe gjetkë. Nuk dua të merrem me një rast të veçantë, por me një problem që meriton të shihet në një plan më të gjerë.
Fundja çfarë mund të bëjë një student në këto kushte? Ai dhe shokët e tij nuk kanë shumë hapësirë për t’i kërkuar llogari pedagogut. Ky i fundit ka në dorë notat e tyre dhe për sa kohë marrëdhënia mes tyre funksionon kështu, studenti ngurron të ankohet. Po te dekani e rektori, a mund të shkojë pa u shqetësuar për pasojat? Edhe këtu mund të ketë hezitim, sidomos kur studenti nuk e di nëse ankesa do të merret seriozisht apo do t’i kthehet në një problem më vete.
Dhe ku do ta shfryjë inatin e frustrimin? Te qeveria, te ministria, te vetë institucioni që në sytë e tij mban përgjegjësinë për gjithçka që nuk shkon siç duhet në arsim. Këtu nis edhe një tjetër problem, fakti që universitetet publike gëzojnë autonomi dhe kanë mekanizmat e tyre të vetëqeverisjes. Shumë prej problematikave që lidhen me mësimdhënien dhe sjelljen e pedagogëve duhet të trajtohen pikërisht brenda këtyre institucioneve, gjë që nuk ndodh.
Sado që ia vija në dukje mikut tim se sistemi universitar vetëqeveriset, ai e kishte të vështirë ta kuptonte këtë gjë, ndaj dhe bënte me faj qeverinë. Në njëfarë mënyre e kuptoj edhe arsyen. Ai nuk zgjedh pedagogët, as dekanët apo rektorët, ndërsa përballë ka institucione publike për funksionimin e të cilave pretendohet se duhet të mbajë përgjegjësi dikush. Dhe këtu ministria nuk mund të lajnë duart si Ponc Pilati, me argumentin se universitetet kanë autonomi dhe se nuk mund të bëjnë asgjë më shumë.
Autonomia universitare nuk mund të jetë as mburojë për papërgjegjshmërinë, as justifikim për të mos kërkuar llogari. Ajo ka kuptim kur universiteti që vetëqeveriset, të vendosë rregulla dhe të kujdeset që ato të zbatohen. Përndryshe, çfarë vlere ka autonomia nëse studenti nuk ka ku të drejtohet kur pedagogu nuk paraqitet në mësim apo kur provimi shtyhet pa një arsye të qartë?
Unë nuk pretendoj të di se si janë të gjitha problematikat e arsimit. Por, nga sa tregova më sipër, kemi të bëjmë me një dëshmi konkrete të një prindi që po sakrifikon dy mijë euro në vit për shkollimin e të birit në një universitet privat. E bën këtë vetëm e vetëm që ai të ketë pedagogë të përgjegjshëm, të cilët nuk tremben nga shiu, nuk tallen me datat e provimeve dhe nuk vënë punët personale mbi atë mision fisnik për të cilin paguhen.
Përveç këtyre problematikave, ai prind shprehu shqetësime edhe për cilësinë dhe kompetencën e mësimdhënies. Dhe meqë ra fjala, problemi nuk mbaron te universitetet.
Nëse shkëputem për një çast nga arsimi i lartë dhe kaloj te ai parauniversitar, edhe aty shoh fenomene që i kam ndeshur vetë te ime bijë. Duhet ta theksoj se në përvojën time, mësuesit këtu janë shumë herë më të përkushtuar. Por kjo nuk do të thotë se gjithçka shkon mirë.
Ka raste kur një mësues i profilizuar për fizikë jep edhe matematikën, por nuk shfaq të njëjtën aftësi edhe në këtë lëndë. Nuk e di nëse kjo vjen nga mënyra si organizohet mësimdhënia apo nga mungesa e përgatitjes së duhur për lëndën që i caktohet. Por në fund është nxënësi ai që del i humbur. A mjafton që një mësues të jetë i përkushtuar, apo duhet të sigurohemi edhe që ai të japë atë lëndë për të cilën ka përgatitjen dhe aftësinë e duhur?
Përkushtimi nuk mjafton gjithmonë. Ka raste kur një mësues e njeh mirë lëndën e tij, por nuk arrin t’ua përcjellë njohuritë nxënësve në mënyrën e duhur. Këtu hyn në lojë aftësia pedagogjike, një element që meriton shumë më tepër vemendje nga instancat përgjegjëse.
Një lëndë mësimore, sado e vështirë të jetë, mund të bëhet e dashur për nxënësit kur mësuesi është krijues dhe di ta shpjegojë e ta bëjë të kuptueshme duke i përfshirë ata në procesin e të nxënit. E kundërta ndodh kur shpjegimi bëhet mekanik dhe nuk arrin te nxënësi edhe nëse mësuesi është i përgatitur dhe e njeh mirë lëndën. Sepse nuk mjafton të dish, por duhet të dish edhe si t’ua përcjellësh atë që di të tjerëve.
Natyrisht, problematikat në arsim mund të jenë të shumta. Unë solla vetëm disa prej atyre që herë i dëgjoj nga miqtë dhe herë i prek vetë. Nuk jam ekspert i arsimit dhe as pretendoj të jap zgjidhje për gjithçka.
Nëse secili prej nesh kontribuon duke sjellë përvojat dhe shembujt e vet, mbase arrijmë të kuptojmë më mirë se ku çalon sistemi dhe çfarë duhet përmirësuar. Ndoshta ky shkrim, i nisur nga histori të thjeshta, mund të ndihmojë që arsimi ynë të rritet e të ofrojë një standard më të lartë për të gjithë brezat e rinj që po rrisim.
- I refuzuan përsëri ftesë për dialog, Rama mesazh me video: Studentë? JO! Pedagogë? JO! Po çfarë janë këta që duan vetëm rrëmujë?! - 23/10/2026
- “Protesta, e ngjyer me krim”- Analisti: Dronët kamikazë drejt Kryeministrisë, kambanë alarmi për shtetin! Shteti s’mund të rrijë peng i… - 23/10/2026
- Autonomia, përgjegjësia dhe ajo që ndodh realisht në arsim - 23/10/2026