Françeskani shqiptar Atë Shtjefën Gjeçovi ishte dhe mbeti pishtar i gjallë i ndriçimit të historisë dhe kulturës së kombit të tij, të cilat u bënë për të pajë shpirtërore dhe qëndrese deri kur dha edhe frymën e fundit. Kështu dy përmasat themelore të jetës së Atë Shtjefën Gjeçovit janë: besnikëria ndaj fesë dhe dashuria për atdheun.
Më 14 tetor, kujtojmë Atë Shtjefën Gjeçovin, françeskanin, meshtarin dhe studiuesin e shquar shqiptar dhe martirin, që u vra më 1929, në Zym të Hasit, afër Prizrenit. Një figurë e ndritur e Kishës dhe e kulturës shqiptare, ai e jetoi jetën si misionari i Ungjillit dhe si mbledhës i palodhur i trashëgimisë shpirtërore e kombëtare të popullit të vet shqiptar.
I lindur më 12 korrik 1874 në Janjevë të Kosovës, Gjeçovi e veshi që në moshë të re zhgunin françeskan dhe ia kushtoi jetën shërbimit ndaj Zotit dhe njerëzve. Në udhëtimet e tij baritore, nga Rubiku e Peja, te Shkodra, Gjakova e Zymi, predikoi Ungjillin, ndërsa njëkohësisht mblodhi me përkushtim këngë, gojëdhëna, mite, zakone e dëshmi të historisë shqiptare.
Emri i tij lidhet para së gjithash me “Kанunin e Lekë Dukagjinit”, veprën madhore që mblodhi dhe kodifikoi normat e së drejtës zakonore shqiptare, duke lënë një monument të çmuar të gjuhës dhe kulturës shqipe. Por Gjeçovi ishte shumë më tepër se kaq: shkrimtar, historian, etnograf, arkeolog dhe studiues, ai la pas një trashëgimi të gjerë letrare e shkencore, pjesa më e madhe e së cilës mbeti në dorëshkrim.
“Përveç veprës së tij të çmuar në fushën e kulturës dhe të së drejtës zakonore shqiptare, Atë Shtjefën Gjeçovi i kushtoi vëmendje të veçantë edhe formimit shpirtëror të popullit. Ndër veprat e tij teologjike spikat ‘Shpërblesi i botës ase Jeta e Jezu Krishtit’, të cilën e shkroi për ta bërë të njohur më mirë jetën dhe mësimet e Shëlbuesit, duke e afruar popullin shqiptar me Ungjillin dhe me dashurinë e Krishtit.”
Për të, ruajtja e gjuhës shqipe ishte një detyrë e shenjtë, një trashëgimi që duhej mbrojtur si drita e syve. “Sa mund të mendohet dielli pa dritë, aq mund të mendohet kombi pa gjuhë”, shkruante ai, duke dëshmuar se gjuha është shpirti dhe kujtesa e një populli.
Më 14 tetor 1929, jeta e tij u ndërpre tragjikisht nga plumbat e vrasësve, por vepra dhe dëshmia e tij nuk u shuan. Ai ra martir për tokën dhe popullin të cilëve u kishte kushtuar gjithë jetën, duke lënë pas një trashëgimi që kapërcen kohën.
Sot, në përvjetorin e vrasjes, kujtojmë Atë Shtjefën Gjeçovin si meshtar të përkushtuar, françeskan të palodhur dhe pishtar të kulturës shqiptare e martir të fesë së krishterë. Atë Gjeçovi është personalitet që bashkoi fenë me dashurinë për atdheun dhe që, deri në frymën e fundit, punoi për të ruajtur kujtesën, gjuhën, identitetin dhe dinjitetin e popullit të vet.
Françeskani Atë Shtjefën Gjeçovi ishte dhe mbeti pishtar i gjallë i ndriçimit të historisë dhe kulturës së kombit të tij, të cilat u bënë për të pajë shpirtërore dhe qëndrese deri kur dha edhe frymën e fundit. “Giuha e nji komit s’kaa t’ndalun, as nuk mûnd t’ndâlet kurr”. “Sa mûnd t’mêndohet dielli pa dritë, aq mund t’mêndohet komi pa giuhë” . Ai i bën të ditur patriotëve të tij vlerat e gjuhës sonë, pasi ajo… “âsht nji gjâa sênd qi nuk mûnd t’blehet, nuk shitet e nuk ndrrohet; nji sênd âsht, qi do t’ruhet si nji gur i çmue, do t’ruhet si nji dhântii e posaçme e Perendîis e si nji trashigim i t’parvet tonë… do t’ruhet si drita e synit. Kjo dhântii… âsht giuha shqype”. E mbyll paragrafin, duke vendosur në fund këtë aforizëm: “Sa mûnd t’mêndohet dielli pa dritë, aq mund t’mêndohet komi pa giuhë”.
/Vatican News
- Pas operacionit, Papa reagon normalisht, ecën dhe ushqehet vetë - 14/10/2026
- Atë Shtjefën Gjeçovi, martir i fesë dhe i atdheut – në përvjetorin e vrasjes - 14/10/2026
- Presidenti Begaj reagon për protestën: Dhuna nuk mund të jetë mjet i shprehjes së pakënaqësisë! As përdorimi i forcës nga Policia s’duhet të dalë jashtë kufijve - 14/10/2026