Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar se do të japë dorëheqjen nga posti të dielën, më 27 shtator, pasi të kthehet nga Nju Jorku, ku po merr pjesë në sesionin e 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Duke folur për gazetarët në Nju Jork, Vuçiç tha se do t’i drejtohet popullit të dielën rreth orës 20:00, për të shpjeguar arsyet e vendimit të tij. Ai kishte paralajmëruar më herët se do të largohej nga presidenca pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara.
“Do të jap dorëheqjen të dielën në mbrëmje. Mendoj se do të jetë rreth orës tetë. Do t’ju informoj dhe do të dëgjoni shpjegimin tim dhe gjithçka tjetër”, deklaroi Vuçiç, sipas transmetuesit publik serb RTS.
Pas dorëheqjes, Vuçiç ka thënë se synon të marrë pjesë në fushatën për zgjedhjet parlamentare si qytetar i zakonshëm dhe jo më në cilësinë e presidentit. Ai pritet të kërkojë postin e kryeministrit në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të planifikuara për më 25 tetor.
Gjatë qëndrimit në Nju Jork, presidenti serb foli edhe për zhvillimet gjeopolitike, duke vlerësuar se Shtetet e Bashkuara dhe Kina janë dy fuqitë kryesore botërore dhe se marrëdhëniet mes tyre do të kenë ndikim të madh në zhvillimet ndërkombëtare.
Vuçiç e cilësoi veçanërisht të rëndësishëm takimin e planifikuar mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit kinez Xi Jinping. Sipas tij, Uashingtoni dhe Pekini duhet të bashkëpunojnë edhe për çështje të tilla si zhvillimi dhe rregullimi i inteligjencës artificiale.
“Fati i botës po vendoset sot në samitin Trump-Xi”, tha Vuçiç.
Ai njoftoi gjithashtu se para përfundimit të mandatit presidencial do të zhvillojë një bisedë me presidentin rus Vladimir Putin. Sipas Vuçiçit, në këtë bisedë do të diskutohet për marrëveshjet energjetike, situatën rreth kompanisë serbe të naftës NIS dhe aktivitetet e hekurudhave ruse në Serbi.
Dorëheqja e paralajmëruar e Vuçiçit vjen në një periudhë të tensionuar politike në Serbi, ndërsa vendi përgatitet për zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit dhe protestat e udhëhequra nga studentët vazhdojnë të ndikojnë në zhvillimet politike të vendit.