Pas vendimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së, studentët e Universitetit të Prishtinës, së bashku me studentë të universiteteve të tjera, kanë paralajmëruar marsh paqësor sot në Prishtinë.
Thirrja e tyre është për unitet e drejtësi.
Përmes një konference për media, të dielën, nga Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës, ata kanë shpalosur planin e protestës, që pritet të nisë në orën 11:30 nga Qendra e Studentëve dhe të vazhdojë drejt sheshit “Skënderbeu”.
Flon Kastrati ftoi të gjithë studentët, rininë dhe qytetarët t’i bashkohen marshit paqësor, ndërsa njoftoi do të shpaloset edhe një memorandum prej gjashtë pikash.
“Ky marsh është thirrje për unitet dhe e ka në qendër unitetin si e vetmja zgjidhje deri në fjalën e fundit të drejtësisë. Studentët e UP-së, së bashku me universitetet e tjera publike dhe private, kanë përgatitur edhe një memorandum prej 6 pikash, i cili do të lexohet nga kolegët dhe do të publikohet pas përfundimit të marshit. Ju ftojmë të gjithëve që të na bashkoheni”, tha ai.
Donart Humolli nga Parlamenti Studentor, u shpreh se ndiejnë detyrim moral dhe përgjegjësi qytetare që ta ngrenë zërin ndaj një vendimi që e konsiderojnë krejtësisht të padrejtë.
Disa nga kërkesat e studentëve janë edhe mbështetja financiare e pakushtëzuar, si dhe mbështetja e plotë politike e morale për të akuzuarit.
“Njëkohësisht, kërkojmë hetim dhe monitorim të detajuar të procesit gjyqësor në Hagë nga organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Besojmë fuqimisht se ky vendim dënues ka qenë i padrejtë dhe bie ndesh me parimet e drejtësisë, duke cenuar vetë themelet e historisë sonë të lavdishme çlirimtare dhe luftës sonë mbrojtëse. Një proces i tillë meriton transparencë maksimale dhe syrin vigjilent të botës demokratike, për të garantuar se nuk po prodhohet një padrejtësi historike”, tha Humolli.
Studentët kanë bërë thirrje për partitë politike që të tregojnë pjekuri dhe të gjejnë gjuhën e bashkëpunimit, në mënyrë që të vendosin unitetin mbi interesat ditore.
Nga Parlamenti Studentor kanë theksuar se, si rini, duan të riafirmojnë se nuk e kanë humbur besimin te drejtësia e vërtetë perëndimore.
Mbrëmjen e së dielës, protestuesit vijuan marshimin e tyre në Prishtinë në të pestën natë radhazi./Koha
- Studentët marshojnë sot në Prishtinë kundër vendimit të Speciales, thirrje për unitet dhe drejtësi - 21/09/2026
- Trump dhe Macron takohen sot në Nju Jork, në fokus luftërat dhe krizat ndërkombëtare - 21/09/2026
- Rama me shqiptarët në Michigan: S’jemi më vend mbijetese, por shprese. Pritshmëritë janë rritur - 21/09/2026