22.7 C
Tirana
20 / 09 / 2026

“Jo në emrin tim”/ Nata e pestë e protestës kundër vendimit të Hagës në Prishtinë, veterani Bekim Shyti: Liderët e UÇK-së janë dënuar padrejtësisht

Në Prishtinë, për të pestën natë me radhë ka vazhduar protesta kundër vendimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Protestuesit shpalosën flamur kombëtar me emblemën e UÇK-së, derisa brohorisnin “jo në emrin tim”.

Para mijëra protestuesve foli veterani i luftës Bekim Shyti që e quajti aktgjykimin padrejtësi.

“Sot kemi gjithandej varreza të dëshmorëve, e kemi lirinë, por liria erdhi nga këta vizionarë, nga këta trima dhe burrështetas, sepse këta kishin guximin dhe vizionin që të formojnë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, u shpreh Shyti.

Pjesë e protestës të dielën ishte edhe këngëtari Ledri Vula i cili shprehi mirënjohjen për katërshen e UÇK-së.

“Një falënderim për luftën që e kanë bërë këta njerëz të mëdhenj, që sot padrejtësisht janë dënuar. Faleminderit të gjithëve që keni ardhur”, tha Vula.

Të dielën në kundërshtim të vendimit të Speciales u protestua edhe në Shtime.

Diaspora, po ashtu ka vazhduar me protestat dhe kërkesat për drejtësi për ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Të dielën është protestuar edhe në Vjenë të Austrisë e Triestë të Italisë.

Të hënën, në Prishtinë kanë paralajmëruar protestë studentët e universiteteve të Kosovës.

Më 16 shtator Gjykata Speciale dënoi me 81 vjet burgim për krime lufte së bashku Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x