25.5 C
Tirana
11 / 09 / 2026

Braçe paralajmëron: Nëse “Pasqyrë Albania” nuk funksionon, unë i pari do ta thyej

Erion Braçe do të jetë i pari që ‘do ta thyejë’ Pasqyrë Albania nëse ajo nuk funksionon. Ajo që ai e cilëson të rëndësishme gjatë intervistës në “Frontline” në Report Tv, është që si deputetët, ashtu edhe qytetarët, ta provojnë. Edhe pse vetë Braçe është vazhdimisht në terren, këtë mundësi e sheh si një formë për të krijuar besim.

“Pasqyrë Albania na jep mundësinë ne deputetëve që çfarë marrim si shqetësime personale, individuale apo komunitare t’i hedhim në një platformë që kanë akses dy palë, pala qeverisëse dhe qytetarët që mund ta ndjekin marrjen e përgjigjes në kohë reale. Është element për t’u provuar, ka lidhje me punën tonë si deputetë dhe besimin që duhet të krijojnë qytetarët te ajo që po bëjmë në mënyrë të organizuar. Unë dua ta provoj, ashtu si edhe qytetarët duhet ta provojnë me qëllim që ta bëjmë të funksionojë. Në momentin që funksionon, ka sukses. Në momentin që nuk funksionon, unë i pari do e thyej pasqyrën”, shprehet Braçe.

Mekanizmi i prezantuar nga kryeministri Rama nuk është i vonuar, por deputetët e rinj apo edhe ata që e ushtrojnë prej kohësh këtë detyrë, kanë humbur kohë. Megjithatë, në nota optimizmi, thotë se s’është vonë për t’iu gjendur pranë njerëzve.

“Ai personalisht nuk është i vonuar, ka deputetë që janë të vonuar. Kush është për herë të parë dhe s’e ka kuptuar punën e deputetit, e ka shpenzuar në mënyrë jo produktive vitin e parë. Kush e ka ditur ç’është puna e deputetit dhe s’e ka bërë, është në një pozitë komplet tjetër. Mendoj që gjithkush nga ne ka punë kontaktin me njerëzit, dëgjimin, mbajtjen shënim, zgjidhje, kritikë, dhënie llogarie, përgjigje e me radhë. Kjo është puna që duhet të bëjë një deputet, unë kështu e kam kuptuar dhe bërë prej 30 vitesh. Nuk është kurrë vonë për të takuar njerëzit”, thotë deputeti.

Braçe thotë se deputetëve u është vënë në dukje mungesa e pranisë në territor, por as institucionet s’kanë mbetur pas. Ndërsa ‘Besa’ ndërlidh praninë me disa elementë: dëgjimin, përballjen e qeverisë dhe parlamentit me ndikimin konkret të vendimeve të tyre te njerëzit.

“E para dhe mbi të gjitha është prani. Ti e ke detyrim praninë tënde në territor në ato lagjet, rrugët, kthinat etj. Tirana është shumë e madhe, edhe ne jemi shumë, mund ta mbulojmë Tiranën me prani të deputetëve. E dyta, është ai sensi i të dëgjuarit që ndonjëherë kur ke pusshtet (të gjatë), humbet. Ti i merr të mirëqena marrëdhëniet me qytetarët, hë se aty janë. Nuk është kështu, është një marrëdhënie që ndërtohet përditë dhe duhet t’i qëndrosh përditë asaj. Kur flasim për besën, jo më kot kam dhënë besë 30, kam marrë besë 30 vjet, kam mbajtur besë 30 vjet se është shumë e rëndësishme edhe kjo. Së treti, është përballja e ekzekutivit dhe legjislativit me vendimet e veta në territor. Çfarë efekti kanë vendimet që kanë marrë te njerëzit. Po ju marr një shembull, pensionet. Nuk mendoj që është problem i vështirë për t’u zgjidhur afati i një dite për të marrë pensionin e plotë të pleqërisë. Janë mijëra njerëz që për një vit kanë humbur kompensimin e plotë të pensionit të pleqërisë”, shprehet Braçe.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x