Ish-ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari ka reaguar përsëri pas largimit nga ky post nga kryeministri Edi Rama.
Ai thekson se ky post e rriti profesionalisht, politikisht dhe mbi të gjitha si njeri. Sipas tij ky ka qenë një rrugëtim i paharrueshëm.
“Nuk ka nder më të madh se t’i shërbesh vendit tënd, duke u përpjekur çdo ditë të japësh më të mirën tënde në përgjegjësitë që të besohen. Drejtimi i Ministrisë së Drejtësisë dhe në veçanti i Ministrisë së Punëve të Brendshme, institucioni ku u rrita profesionalisht, politikisht dhe mbi të gjitha si njeri është më shumë se sa një privilegj. Është ‘libri i jetës’ i cili të udhëzon drejt më tej në çdo stacion vijues”, shprehet ish-ministri.
Më tej ai falënderon kryeministrin, me të cilin do të vijojë të bashkëpunojë në detyrën e re.
“Për këtë mundësi të jashtëzakonshme, mirënjohje gjithmonë Kryeministrit Edi Rama, të cilit tashmë do të kem kënaqësinë e veçantë t’ia kthej nderin e lartë dhe besimin tek unë edhe përmes angazhimit të ri si pjesë e ekipit të Tij. Ka qenë një rrugëtim i paharrueshëm me ekipin më të mirë në krah dhe i bekuar nga mbështetja deri në sakrificë e familjes time”, u shpreh ai.
Në fund edhe një urim për ministrin Demo:
“Urime dhe mbarësi kolegut Ervin Demo. Jam i bindur që do të çojë përpara me sukses prioritetet e qeverisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme”.
- Pagat e magjistratëve, Minxhozi: Prova e re që reforma në drejtësi dështoi - 11/09/2026
- Rama takon nxënësit fitues të olimpiadave, kryeministri: Më frymëzoni në punën time, testi PISA një fryt i shijshëm i një pune të gjatë në arsim - 11/09/2026
- Gara për kreun e Gjykatës së Lartë, gjyqtari Ilir Panda dorëzon kandidaturën - 11/09/2026