Një përshkallëzim i ri po regjistrohet në konfliktin mes SHBA-së dhe Iranit. Presidenti amerikan Donald Trump paralajmëron se Uashingtoni është i gatshëm të ndërmarrë një tjetër operacion ushtarak, ndërsa Teherani ka vijuar me sulme me raketa dhe dronë kundër bazave amerikane në Kuvajt.
Duke folur me gazetarët në Zyrën Ovale, Trump iu referua operacioneve të fundit ushtarake amerikane dhe deklaroi se SHBA-ja është e gatshme të ndërmarrë sulme të tjera
“Ne neutralizuam të gjitha pajisjet e reja që ata u përpoqën të ndërtonin përgjatë Ngushticës së Hormuzit – disa mbrojtëse, disa sulmuese. Ishte një sulm shumë i ashpër mbrëmë dhe ne jemi të përgatitur të kryejmë një tjetër kur të duam”, u shpreh Trump.
Presidenti amerikan vlerësoi gjithashtu se operacionet ushtarake nuk do të zgjasin “për shumë gjatë”.
Ndërkohë, konflikti po shtrihet edhe më tej në Gjirin Persik. Irani ka ndërmarrë sulme të reja me raketa dhe dronë, duke vënë në shënjestër bazat amerikane në Kuvajt. Forcat e armatosura të Kuvajtit njoftuan në orët e para të mëngjesit se sistemet e mbrojtjes ajrore të vendit po përballeshin me një sulm me raketa dhe dronë.
“Mbrojtja ajrore e Kuvajtit aktualisht po përballet me sulme armike me raketa dhe dronë pas një sulmi të keqdashës iranian”, thuhej në deklaratën e shtabit të përgjithshëm të mbrojtjes kombëtare të Kuvajtit.
Pak më vonë, televizioni shtetëror iranian konfirmoi se objektivat e sulmeve ishin instalimet ushtarake amerikane në Kuvajt.
Në të njëjtën kohë, shefi i sigurisë së Iranit, Mohsen Rezaei, paralajmëroi se SHBA-ja së shpejti do të përballet me një “strategji të re” të Teheranit për zhvillimin e luftës.
Irani ka ndërmarrë më herët edhe sulme të tjera kundër bazave në Lindjen e Mesme, të përdorura nga forcat amerikane. Teherani i ka paraqitur këto sulme si hakmarrje ndaj operacioneve ushtarake amerikane në territorin iranian.
Përshkallëzimi i fundit rrit më tej tensionet në rajon dhe shton shqetësimet për zgjerimin e konfliktit në Gjirin Persik.
- Katy Perry flet për ndarjen nga ish-partneri dhe romancën e re me ish kryeministrin kanadez - 03/09/2026
- Kompleksi Qeveritar merr dritën jeshile – Vendimi, 2,431 metra katrorë kalojnë në pronësi të Korporatës së Investimeve - 03/09/2026
- Kush është Dr. Klodiana Spahiu, ministrja e re e Shëndetësisë - 03/09/2026