Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, është përfshirë në listën e “100 Gratë Influencuese në Onkologji 2026”, të publikuar nga platforma ndërkombëtare OncoDaily, e cila fokusohet në zhvillimet dhe figurat e rëndësishme në fushën e onkologjisë.
OncoDaily ka bërë publike 10 emrat e parë të listës për vitin 2026, ku mes tyre renditet edhe Evis Sala, duke e vlerësuar për angazhimin e saj në politikat shëndetësore dhe veçanërisht në fushën e trajtimit dhe parandalimit të kancerit në Shqipëri.
Sipas platformës, gjatë drejtimit të saj në Ministrinë e Shëndetësisë, onkologjia është vendosur në qendër të reformave kombëtare shëndetësore.
Në vlerësimin e publikuar përmenden disa prej nismave të lidhura me këtë fushë, përfshirë avancimin e krijimit të një Instituti Kombëtar të Onkologjisë dhe një Rrjeti Kombëtar të Kancerit, si dhe prezantimin e protokolleve të standardizuara për trajtimin e pacientëve me sëmundje tumorale.
OncoDaily përmend gjithashtu zgjerimin e kapaciteteve rajonale për kimioterapinë dhe radioterapinë, rritjen e financimit për barnat kundër kancerit dhe forcimin e programeve të depistimit për kancerin e qafës së mitrës dhe parandalimin e HPV-së.
Në profilin e saj, OncoDaily evidenton edhe karrierën akademike dhe profesionale të Evis Salës.
“Ajo është profesore e Radiologjisë në Università Cattolica del Sacro Cuore në Romë dhe më herët ka drejtuar Departamentin e Imazherisë Diagnostike dhe Radioterapisë në Fondazione Policlinico Universitario Agostino Gemelli IRCCS”, shkruan platforma.
- “Shajeni Ramën sa të doni, por shteti duhet ruajtur”, analisti krahason opozitën shqiptare me Le Pen në Francë - 20/10/2026
- Paralajmërimi i Trump: Nëse Europa dorëzohet përballë emigracionit, SHBA do të largohet! - 20/10/2026
- Të maskuarit e vandalizuan, deputeti Shalsi për monumentin e ‘Lahutës së Malcis’: Si lufton për të ardhmen, kur s’njeh krenaritë e vendit? - 20/10/2026