Nga fushat e orizit në Vietnam deri te brigjet e Shqipërisë, nga kullat në Gjirin Persik te projektet luksoze në Ballkan, emri Trump po shfaqet gjithnjë e më shumë në projekte të mëdha imobiliare në vende ku Shtetet e Bashkuara kanë interesa të rëndësishme politike dhe strategjike.
Një analizë e “La Stampa” e përshkruan këtë zgjerim si “diplomacia e tullës” së Donald Trump, ku ndërsa qeveritë negociojnë me Shtëpinë e Bardhë për tarifa, siguri, energji dhe marrëveshje strategjike, marka e familjes Trump shtrihet përmes projekteve të pasurive të paluajtshme.
Një nga rastet më të fundit është ai në Vietnam, ku rreth 900 hektarë tokë janë vënë në dispozicion për një resort luksoz me vlerë rreth 1.5 miliardë dollarë, që parashikon fusha golfi, vila dhe hotele me emrin Trump. Mijëra familje fermerësh janë detyruar të zhvendosin edhe varret e të afërmve të tyre për t’i hapur rrugë projektit.
Sipas analizës, Trump Organization zakonisht nuk financon drejtpërdrejt ndërtimet, por jep licencën e markës, menaxhon në disa raste hotelet ose klubet e golfit dhe përfiton nga tarifat dhe honoraret.
Në Vietnam, miratimi përfundimtar i projektit u dha në vitin 2025, në një periudhë kur Hanoi dhe Uashingtoni po negocionin për çështje tregtare dhe kërcënimet amerikane për tarifa. Kjo ka ngritur pikëpyetje mbi afërsinë mes interesave ekonomike dhe politikës së jashtme amerikane, megjithëse nuk ka prova për një shkëmbim të drejtpërdrejtë mes vendimeve të Shtëpisë së Bardhë dhe kontratave private.
Nga Gjiri Persik te Ballkani
Në vendet e Gjirit, zgjerimi i markës Trump është bërë veçanërisht i dukshëm. Në Dubai, Oman, Katar dhe Arabinë Saudite janë planifikuar kulla, hotele dhe komplekse turistike luksoze me emrin Trump.
Në Arabinë Saudite, kompania Dar Global, partnere e Trump Organization, ka njoftuar projekte me vlerë miliarda dollarë në Riad dhe Xheda, ndërsa marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Riadit janë forcuar përmes marrëveshjeve për mbrojtjen, energjinë dhe investimet.
Një tjetër zonë ku shfaqet kjo ndërthurje mes biznesit dhe politikës është Ballkani. Në Shqipëri, kompania e dhëndrit të Trump, Jared Kushner, përmes Affinity Partners, ka promovuar projekte turistike në ishullin e Sazanit dhe në zonën e Zvërnecit.
Projektet kanë marrë statusin e investimeve strategjike nga qeveria shqiptare, por kanë shkaktuar kundërshtime nga organizata mjedisore dhe aktivistë, të cilët kanë ngritur shqetësime për ndikimin mbi zonat e mbrojtura dhe biodiversitetin.
Në Serbi, një projekt i lidhur me Kushner për transformimin e ish-kompleksit ushtarak jugosllav në Beograd u përball me protesta dhe hetime për dokumentacionin e mbrojtjes së monumentit historik, përpara se të braktisej.
Rrjeti global i markës Trump
Projektet e lidhura me emrin Trump shtrihen gjithashtu në Gjeorgji, Indonezi, Indi, Rumani dhe Izrael. Në Tbilisi është planifikuar një kullë shumëkatëshe me markën Trump, ndërsa India është kthyer në një nga tregjet më të mëdha të markës me disa projekte luksoze.
Sipas analizës, të marra veçmas këto projekte mund të konsiderohen kontrata normale biznesi. Por të parë së bashku, ato krijojnë një rrjet ekonomik që shtrihet në vende ku SHBA ka ndikim përmes politikës tregtare, sigurisë dhe marrëdhënieve diplomatike.
Kritikët ngrenë pikëpyetje mbi përplasjen e mundshme mes interesave private dhe rolit publik të presidentit, ndërsa mbështetësit argumentojnë se bëhet fjalë për investime të ligjshme që forcojnë markën amerikane në tregjet ndërkombëtare.
Në qendër të debatit mbetet pyetja: a është zgjerimi global i markës Trump vetëm një strategji biznesi, apo një formë e re e përdorimit të fuqisë ekonomike si instrument diplomatik?
- Alarm për një valë të re të nxehti në Evropë/ Rriten mundësitë për zjarre dhe mungesë uji, ja vendet më të rrezikuara - 31/07/2026
- Lirimi nga burgu i Beqajt dhe largimi nga PD i Jola Hysajt, Berisha: Dëshmi se sistemin e drejtësisë e kontrollon Rama, disa persona shiten dhe blihen nga… - 31/07/2026
- “Në Aruba nuk ka pasur politikanë”, avokati i Artur Shehut, Kujtim Cakrani: Zvërneci është tokë e trashëguar, pronari ja shet kujtdo - 31/07/2026