Nga Mero Baze
Protesta e ka një arritje që nuk mund t’ia mohojmë. Çdo grup minor në Shqipëri, çdo i papërfaqësuar, çdo i frustruar, çdo i bullizuar, çdo i mënjanuar politikisht, çdo i dështuar profesionalisht, financiarisht, madje dhe dikush që ka dështuar në jetën private, ka iluzionin se tani ka një ushtri me vete në dispozicion të hallit të tij. Dhe kjo është protesta.
Po lexoja sot në mëngjes qindra mesazhe kërcënuese nga më të padëgjuarat në inbox që vinin nga të gjitha këto kategori që përmenda më lart. Dikush më premtonte se do më vriste fëmijët, dikush se do shkatërronte pronat, dikush se do më digjte shtëpinë, dikush se e dinte ku e parkoja makinën, dikush se do më përdhunonte gruan, dikush që do prishte varret e prindërve, e dhjetëra monstruozitete. Vetëm një i Albin Kurti ishte më i mëshirshëm. Ai do më vriste me kusht vetëm nëse e zija dhe një herë në gojë Albinin. Po të mos jesh njeri i mësuar me këto dhe mund t’i marrësh seriozisht, mund të përfundosh në çmendinë e tyre.

Pastaj po mendoja pse kaq shumë urrejtje nga njerëzit që duan të bëjnë Shqipërinë e Re.
Mendo një moment njerëzit që kanë vuajtur në diktaturë, që u kanë humbur prindërit apo fëmijët e s’i kanë parë kurrë, që ua kanë pushkatuar prindërit dhe të afërmit, që u kanë humbur eshtrat e s’i gjejnë dot dhe në vitin 1991, ishin njerëz të përvuajtur, që nuk thirrën kurrë për urrejtje. Ata besuan se shoqëria do merrte hak për ta dhe do bënte më të mirën. Ne në fakt nuk e bëmë. Nuk e vumë dot në vend dinjitetin e tyre, por ata ende janë njerëzit më tolerantë të Shqipërisë.
Duke i krahasuar me hallet e këtyre që janë në shesh përditë, që në fakt janë hallet e çdo njeriu në glob, përfshi dhe ne që nuk dalim në protestë, dhe shikon urrejtjen e tyre, kupton se ata kanë iluzionin se tani kanë një ushtri të tyre dhe ligjin e bën ajo.
Nëse i shikon marrëzitë që thonë, se si do bëjnë rendin e ri në Shqipëri, si do ta zgjedhin në protestë parlamentin e ri, qeverinë e re me letër me vrimë dhe pastaj gjykatat dhe prokurorët do lexojnë vendime në tribunë, e kupton pse e vetmja gjë që ata kanë pronë private është urrejtja dhe i vetmi iluzion i tyre që ata mund ta zbrazin urrejtjen është iluzioni se ata kanë protestën si ushtri.
Ky nuk është një iluzion vetëm i atyre që kërcënojnë në inbox, gazetarë apo personalitete publike që shprehin rezerva për broçkullat e protestës, por iluzion i çdo dështaku në këtë vend që mendon se tani ai mund të marrë hak.
Është iluzioni i partive të vogla, që duan të duken të mëdha. E shikoni si zgjat kokën Agron Shehaj pas çdo protestuesi duke e kapur nga xhaketa e duke pyetur: a të pëlqej unë për kryeministër? dhe ai i thotë po.
Është iluzioni i njerëzve të pakënaqur në Partinë Socialiste që tani mendojnë se do marrin hak ndaj Ramës me atë ushtri. Është iluzioni i njerëzve të xhindosur me Sali Berisha brenda Partisë Demorkatike, që mendojnë se tani ai është zëvendësuar me këta të rrugës.
Është iluzioni i njerëzve të pasur që urrejnë njerëzit edhe më të pasur, është iluzioni i njerëzve të dënuar nga drejtësia që mendojnë se po vjen epoka e artë e lirisë.
Por e përbashkëta e të gjithëve është iluzioni se për çdo hall të tyre e kanë atë ushtrinë e përbashkët në bulevard. Ajo herë bëhet 300 vetë e herë 3 mijë vetë, por dhe në u bëftë 30 mijë vetë një herë në muaj kur të mobilizohen, ajo nuk e ndryshon dot Shqipërinë. Shqipërinë nuk e ndryshon dot urrejtja dhe sidomos kur ajo buron nga pjesë të margjinalizuara të shoqërisë.
Iluzioni i forcës në emër të së cilës lëshojnë përditë mallkime dhe dënime, është thjesht iluzion. Pas pak kohësh kur të kthejnë kokën pas do shikojnë vetëm hijen e tyre. Dhe për këtë nuk ua ka fajin Shqipëria e vjetër, por pafuqia e tyre e vjetër për të qenë dikushi me këmbët e veta në këtë shoqëri.
Dhe boll me këtë adhurimin për fytyrën qytetare të protestës. Kurrë s’ka pasur ndonjë gjë më antiqytetare në tribunën e ndonjë proteste në Shqipëri. Dhe asnjëherë kaq njerëz banalë dhe të frustruar në krye të saj. Të tjerët, minjtë e vrimave që e nxisin këtë urrejtje, i njoh!


- Martinelli hyn në historinë e Kupës së Botës, goli i fitores ndaj Japonisë vendos rekord të ri - 29/06/2026
- “Në fillim u tha që Rama gënjen për Ivankën, pastaj pse po vjen”/ Buzhala për protestat: Projektin nuk e duan ata në Berlin dhe kushërinjtë e mi në Klinë - 29/06/2026
- Video/ Nga ferri në parajsë, Brazili mund Japoninë në frymën e fundit dhe kualifikohet në 1/8-at e Botërorit - 29/06/2026