27.9 C
Tirana
25 / 06 / 2026

Një kujtesë për socialistët e vjetër

Nga Dritan Hila

Së fundmi ka disa zëra që vijnë nga radhët e atyre që dikur ishin funksionarë të Partisë Socialiste që kërkojnë dorëheqjen e Ramës dhe largimin e tij nga politika.

Është e drejta e tyre, pasi jemi në një botë të lire dhe shoqëri të tillë. Fundja askush nuk të heq nga puna të afërmit nëse je kundra. Vetëm se duhen bërë disa krahasime për t’ju kujtuar që nëse kanë të drejtë përpara shoqërisë të shfaqin mendimin ndryshe, nuk e kanë këtë të drejtë përpara socialistëve, të paktën jo si ish-drejtues të tyre.

Ishin këta udhëheqës socialistë që erdhën në pushtet në vitin ‘97 me premtimin se paratë do ktheheshin 100%. U kthyen vetëm 8-10% e tyre. Asetet e firmave piramidale u tretën si kripa në ujë, u shitën apo u tjetërsuan, dhe ata që kishin lënë shtëpitë në krijesat tip Sude, morën vetëm qindarka. Askush nuk mori përgjegjësi për tretjen e atyre aseteve. Njerëzit ua falen por nuk e kanë harruar.

Në vitin ‘97 Berisha ishte një kufomë politike që shikohej si sëmundje ngjitëse nga gjithë perëndimi. Tetë vite më vonë ishin këta socialistët e vjetër që e bënë Berishën të pranueshëm për elektoratin. Berisha që u kushte futur dorën në xhep shqiptarëve, tetë vite më vonë, dukej më i pranueshëm sesa këta socialistët e vjetër.

Shpesh japin receta për ndershmërinë dhe meritokracinë që duhet të ketë në qeverisje. Kanë të drejtën e zotit ta kërkojnë. Vetëm se po të kërkosh në Google emrat e qeverive Nano-Meta-Majko, të shfaqen ca emra që nuk thonë asgjë, me formim mjeran akademik dhe që të vetmin yll në xhaketë kanë qënien ministër. Asnjë prej tyre nuk e ka ndritur më vonë si personazh akademik apo publik. Janë futur në strofkullat e tyre dhe hanë paratë apo drejtojnë bizneset që hapën në kohën e tyre.

Ngrenë shqetësimin për mungesë demokracie në PS-në e Ramës. Mbase kanë të drejtë, megjithëse ata që kanë folur deri tani aty, nuk është se kanë hedhur ndonjë mendim që ia vlen, përveç llogjeve për hatër mbetje meskine pse janë hequr nga funksionet. Asnjë ide përveç fraza klishe për demokracinë dhe transparencën. E thënë prej atyre që kur ishin ministra të Ramës e trajtonin karrigen sikur ua kishte lënë babai, madje duke shitur edhe vendet e punës dhe shpërndarë projektet për OJF-të e grave, nuk tingëllon fort “intelektuale”. Vartësit e tyre i kujtojnë mirë.

Por që këto kritika të vijnë nga socialistët e vjetër, sikur nuk ka kuptim pasi edhe kur Nano lejonte kritikat, e kthyen partinë në teatrin që i ngjante pazarit të Roskovecit. Të gjithë kujtojnë ende mbledhjet e KPD-së së 2001-shit ku PS u telendis në transmetim direkt. Ndërsa kur timonin e kishte Meta, PS u bë fole e freshistëve pa asnjë meritë apo eksperience duke dhënë si produkt përfundimtar një parti që u kthye në shushunjën e sistemit.

Akuzojnë Ramën për krushqi me oligarkët. Por po ti marrësh një e nga një këta oligarkë janë vezë të ngrohura pikërisht prej “socialistëve të vjetër”, e që më vonë Berisha i ushqeu e i majmi.

Ndaj kur shkruajnë sesi Rama iu katandisi PS-në e tyre, është e mira të kujtohen se çfarë i bënë ata vendit që rikthyen Berishën, duke rikthyer edhe vendin në vitin ‘92. Nëse nuk përtypin dot që Rama nuk iu dhuron vendet drejtuese duhet të kuptojnë që kjo është dialektika e brezave. Natyrisht që Rama ka defektet e tij në qeverisje, por krahasuar me të vjetrit, i ka sjellë katër herë socialistët në pushtet, dhe e ka shndërruar Berishën dhe PD në faktor periferik. Nëse duan të këndojnë edhe ata bashkë me mitomanët dhe aventurierët e protestës rënien e tij, duhet të presin edhe ca vite./dritare.net

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x