24.5 C
Tirana
26 / 05 / 2026

RIGJALLERIMI VEZORIAL

Nga Prof. Ass Dr. Avenir Balili

Rënia e numrit të lindjeve dhe shtimi i të moshuarve e për pasojë zvogelimi i popullates vendase është një realitet që po shaqet dukshëm përditë e më shumë edhe ne vendin tonë. Për shkak të faktorëve të ndryshëm socio-politiko-ekonomikë, në ditët e sotme vihet re një tendencë tek të rinjtë tanë për të shtyrë në kohë shtatzaninë e parë dhe me njëkohësisht  për të lindur më pak femije. Kjo tendencë sjell në vitet e mëvonshme vështirësi të shumta të fertilitetit femëror të lidhura kryesisht me moshën, vecanërisht pas të 35-ve ose aq më shumë pas të 38-ve. Si pasojë e kësaj mendësie të sotme të pacientëve mjekët specialistë detyrohen të gjejnë rrugëzgjidhje të reja për trajtimin e plakjes së vezoreve ose të shterimit të hershëm të rezervës folikulare ovariale te gratë me rezervë të reduktuar. 

Një ndër zbulimet e fundit në fushën e riprodhimit të asistuar është teknika e rigjallërimit ose e quajtur ndryshe e rinovimit vezorial e aktivizimit të folikujve ovarialë rezervë. Është një metodë e re minimalisht invazive që modifikon aftesinë riprodhuese të vezoreve. Qëllimi i kësaj metode është përmirësimi i funksionit të vezoreve duke vënë në lëvizje folikujt “e heshtur” ose “të fjetur” te gratë me rezervë ovariale të reduktuar ose me pamjaftueshmëri  të parakohshme ovariale ose menopauzë të hershme. Kjo metodë tek gratë me vezore të paafta ose të plakura para kohe është e vetmja shpresë dhe një mundësi praktike për të pasur fëmijë. Rinimi vezorial ka ngjallur interes si për gjinekologët, ashtu edhe për gratë që duan të përmirësojnë fertilitetin e tyre, vecanërisht ato me rezervë të ulët ose me heshtje të parakohshme ovariale. Duhet të dallojmë në praktikë se çfarë rezultati na jep kjo alternativë, por nuk duhet mitizuar si mundësi teorike. Me zbatimin e këtyre metodave përmirësohet funksioni i vezoreve dhe përftohen më shumë folikuj dhe vezë mbas stimulimit të tyre. Në procesin e plakjes natyrore të vezoreve, rinimi vezorial e ka të perkohshëm efektin dhe pa ndonjë perspektivë të madhe.

Normalisht në vezoret e gruas ka një sasi të madhe folikujsh dhe vezësh brenda tyre që janë rezervë dhe që nuk arrihet të aktivizohen spontanisht ose me stimuluesit e ndryshëm. Nuk nëkuptohet një rinim vezorial  i mirëfilltë, por një vënie në lëvizje e folikujve rezervë të fjetur ose të heshtur. Po t’i liheshin zhvillimit të tyre natyral, këta folikuj ose vezë mbeten të heshtura derisa të arrijnë në degjenerimin e tyre përfundimtar dhe zëvendësimin me ind lidhor. Në këto momente, përpara se të arrihet reduktimi i tyre i pandërprerë dhe perfundimtar mund te gjejë zbatim ndërhyrja me teknikën e rigjallërimit vezorial.

Metodat më të njohura në praktikë janë:

Granulochina, një citokinë që stimulon palcën e kockave për prodhimin e qelizave leukocitare. Prodhohet normalisht në organizëm, por mund të sintetizohet për t’u përdorur si medikament (Filgrastim). Filgrastimi përdoret për aktivizimin e palcës së kockave pas infeksioneve të rënda ose kimioterapisë, duke stimuluar shumëzimin e qelizave staminale adulte dhe transformimin në leukocite. Injeksioni i granulokinës nën lëkurë ose edhe direkt në vezore është një mundësi sidomos për pacientet me përgjigje të ulët ndaj stimuluesve të ovulacionit dhe përmirëson rezervën ovariale e cilësinë e ovociteve.

Teknika PRP (Platelet rich plasma) konsiston në marrjen e gjakut periferik si për një analizë të thjeshtë dhe më pas në ndarjen e trombociteve, të cilat janë qeliza të afta të prodhojnë faktorë rritjeje për rigjenerimi të indeve. Pas izolimit, këto qeliza injektohen në periferi të vezores dhe me anë të funksionimit të tyre arrihet të aktivizohen folikujt e vegjël, të ashtuquajturit primordial. Mbas stimulimit te vezoreve bëhet e mundur zhvillimi dhe marrja e tyre për të përfunduar fekondimin artificial te këto paciente.

Teknika ASCOT (Autologus stem cell ovarian transplantation) pasi merren qelizat staminale nga palca e kockave me anë të punksionit, në një moment të dytë pas manipulimit te tyre, ato injektohen në shtresën periferike të vezoreve.

Teknika OFFA (Ovarian fragmentation for follicular activation) me rrugë laparoskopike përftohet një fragment indi ovarial, i cili përpunohet e riaktivizohet në laborator dhe në fund reimpiantohet në njërën ose të dyja vezoret. Të gjitha teknikat realizohen praktikisht me anë të ekografisë operative transvaginale. Vetëm teknika e fundit kryhet me rrugë laparoskopike, si gjatë marrjes, ashtu edhe gjatë transferimit të fragmentit të ndryshuar në vezore.

Rigjallërimi ose rinimi vezorial nuk përmirëson cilësinë e vezëve dhe nuk e frenon plakjen natyrale të vezoreve, d.m.th. nuk e rinon pacienten, por bën të mundur përftimin e vezëve të pjekura te afta për t’u fekonduar me metodat e riprodhimit in vitro. Tek gratë në menopauzë të avancuar rezultati është i dobët ose negativ. Rinimi vezorial rrit numrin e folikujve dhe vezëve mbas stimulimit, por cilesia e ovociteve varet shumë nga mosha, sëmundjet shoqëruese, trashëgimia, faktorët e rritjes dhe të punës etj., ndaj dhe shtatzania nuk është gjithnje e mundur. Një tjetër faktor është cilësia e vezëve dhe e embrioneve, si dhe përgjigjja endometriale e mitrës. Të gjitha teknikat e fekondimit in vitro nuk garantojnë sukses 100%.

Teknikat e riprodhimit të asistuar kanë pësuar një ndryshim të madh që nga viti 1978 në Angli, kur lindi fëmija i parë në epruvetë. Ka rezultate pozitive në sajë të një pune të madhe, por edhe është spekulluar shumë. Rastet e nënave single, nënave të moshuara ose nenave gjyshe, mitrave me qira, fëmijëve me dy nëna e dy baballarë, vezëve të ngrira, embrioneve të ngrira, manipulimit të embrioneve etj., janë shtuar dhe ka teknika të tjera që janë në pritje. Njohja më e mirë e fertilitetit femëror dhe atij bashkëshortor, si dhe modifikimi i tij ka sjellë mundësi të reja për riprodhimin njerëzor. Nuk duhet haruar se ka ende shumë faktorë të panjohur dhe se organizmi njerëzor dhe natyra nuk mund të manipulohet e të dhunohet pa kufi. Ndoshta do të duhen shumë vite të tjera për të grumbulluar një përvojë më të gjerë, në mënyrë që të vendosen kufij etikë e moralë krahas atyre mjekësorë dhe të shmangen abuzimet në këtë fushë kaq të rëndësishme për të ardhmen tonë.

Së shpejti edhe në Shqipëri do të jetë e mundur aplikimi i teknikës së rinimit vezorial nga nje ekip i specializuar vendas dhe i huaj si një shpresë e re për të pasur fëmijë edhe nga shumë “nëna të moshuara” me rezervë vezoriale të paksuar ose të shterur para kohe. Të gjitha mundesitë janë për të pasur më shumë fëmijë në familjet shqiptare.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x